Çfarë studenti ishte Albin Kurti? Flasin profesorët e tij

Albin Kurti ishte një prej studentëve më të mirë gjatë studimeve në Fakultetin e Elektroteknikës. Kështu thonë disa prej profesorëve të tij. Ata kujtojnë kohën kur Kurti aplikoi për regjistrim kurse të tjerë flasin për suksesin që kishte treguar gjatë studimeve.

Për herë të dytë, Albin Kurti i VV’së u zgjodh në pozitën e kryeministrit të vendit. Rrugëtimi i tij për të arritur këtë pozitë ishte mjaft e gjatë.
Për karakterin dhe se sa ishte i suksesshëm ai gjatë studimeve tregon profesori i tij i fakultetit, Selem Lepaja.

Ai thotë se emrin e tij e mban mend nga provimi pranues pasi ai ishte i pari me pikët maksimale në listën e studentëve.
“Albini si student ishte i shkëlqyeshëm. Fakulteti ynë ka pasur gjithmonë studentë të shkëlqyeshëm por ky ishte i veçantë, modest, gjithnjë i buzëqeshur në shoqëri me shokë”, tha ai për RTV Dukagjini.
“Kishte një shkrim në fletore shumë pedant”, shtoi ai.

Ndërsa profesori tjetër, Ruzhdi Sefa, tha se Kurti ka qenë një prej studentëve më të mirë të Fakultetit t Inxhinierisë Elektrike.
Albin Kurti ka diplomuar në Fakultetin e Elektroteknikës në drejtimin e Telekomunikacionit me Kompjuterikë më 23 prill 2003.