Policia e Kosovës është duke hetuar vdekjen e gjashtë pacientëve me koronavirus në Klinikën Infektive të QKUK’së, të gjithë këta njëherit.
Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka deklaruar se ky rast është duke u hetuar dhe se trupave të pajetë do t’u bëhet obduksioni.
“Prishtinë 05.07.2020 – 01:00. Raportohet se në Kliniken Infektive në Prishtinë kanë vdekur gjashtë persona që të gjithë kosovar. Me vendim të prokurorit, trupat e pajetë të viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Kujtojmë se këto vdekje janë raportuar si misterioze, dhe se ka dyshime se ato kanë ndodhur për shkak të mungesës së oksigjenit apo mos-funksionimit të aparaturave, përcjell Gazeta Metro.
Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet tjera është deklaruar se çdo dyshim rreth këtij rasti do të hetohet nga organet kompetente.
Ndryshe, numri i personave të infektuar në Kosovë ka kaluar mbi 3 mijë, kurse mbi 600 raste aktive janë vetëm në Prishtinë.
Ndërsa deri sot janë shënuar 75 viktima.