Çfarë na mëson ‘Love Story’ dhe ‘Për’Puthen’ për psikologjinë tonë

Në fushën e ekonomisë, parimi i mungesës është një strategji e njohur, e cila përdoret gjerësisht si praktikë nga tregtarët për të rritur interesin e konsumatorëve potencialë. “Na ka mbetur dhe një e fundit” është një fjali që me gjasë e keni dëgjuar shpesh. Me fjalë të tjera, njerëzit vendosin një vlerë më të lartë për diçka që është e rrallë (diamantët) dhe një vlerë tjetër për gjërat me shumicë (gurët e tjerë). I njëjti parim funksionon edhe në psikologjinë tonë dhe zgjedhjet në jetë edhe për gjërat që nuk kanë lidhje domosdoshmërisht me blerjet. Për të analizuar këtë, mund t’i referohemi “Love Story” dhe “Për’Puthen”.

Një analizë e shkëlqyer për këtë fenomen është bërë nga Dr. Shauna Springer, psikologe dhe studiuese për marrëdhëniet dhe stilin e jetesës. Në librin e saj “Marriage, for Equals: The Successful Joint (Ad)Ventures of Well-Educated Couples” (Martesa, për të barabartët: Sipërmarrjet e përbashkëta e të suksesshme të çifteve të mirë-edukuar) ajo trajton parimin e mungesës dhe ndalet edhe te “The Bachelor”, një format i ngjashëm me “Love Story”, ku një grup vajzash garojnë për të fituar zemrën e një djali. Sipas saj, duke u zvogëluar zgjedhjet, rritet gara. Si kështu?

Dr. Springer thotë se është qesharake që të dëgjosh vajza me personalitete dhe stile të ndryshme që të thonë tekstualisht “ai është perfekt për mua”. Pra, ashtu si edhe në ekonomi, kur kërkesa tejkalon ofertën, oferta e kufizuar papritmas fillon edhe të duket tërheqëse. Sipas saj, shumë vajza në formatin “The Bachelor”, krijojnë pëlqim për beqarin ende pa e takuar duke u mjaftuar me pak informacion. Kujtojmë se në episodin e parë të “Love Story”, vetëm pas një takimi disasekondësh përshëndetës, disa vajza thanë se Saimiri i tejkaloi pritshmëritë e tyre, se ishte shumë i mirë, se mezi prisnin të njiheshin, se do të shkruanin historinë mes tyre etj.

Ndër të tjera, Dr. Springer evidenton edhe faktin se ndodh shumë rrallë që një konkurrente ta refuzojë trëndafilin, çka rrjedhimisht ngre diskutimin: A nuk ndodh që dikush gjatë garës të heqë dorë sepse thjesht nuk i pëlqen djaloshi beqar? Sigurisht, përgjigjet ajo, producentët editojnë çfarë shfaqet në ekran dhe sigurisht shumë garuese kanë të tjera motive në program, si fama. Megjithatë shton se nëse do të kishte më shumë zgjedhje, interesi i tyre do të ndryshonte.

Nëse do të kishte më shumë se një pretendent, siç ndodh në “Për’Puthen”, garuesit do ta vlerësonin ndryshe situatën dhe do të mendonin edhe shkallën e përshtatjes me njëri-tjetrin (kujtoni Anën me Atdheun, Fatjonin me Melisën, Tean me Beartin, Mevlanin me çdo vajzë të re etj).

Ndryshe nga “Për’Puthen”, në “Love Story” shumë vajza zgjedhin të qëndrojnë sepse duan atë çfarë duan të tjerat dhe kjo dukuri nuk ka ndonjë ndryshim nga të ndjekurit masivisht të një trendi, pavarësisht sa qesharak mund të jetë, si për shembull xhinset me shtat të shkurtër.