Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar sapo ka publikuar raportin e saj më të fundit të inteligjencës mbi situatën në Ukrainë, ku thuhet se kolona ushtarake ruse në veriperëndim të Kievit s’ka bërë progres dhe është duke përjetuar humbje të vazhdueshme nga forcat e armatosura të Ukrainës, shkruan The Guardian.
Ministria tha se ka pasur një “ulje të dukshme në aktivitetin e përgjithshëm ajror rus” mbi Ukrainë në ditët e fundit, duke vënë në dukje se ka të ngjarë për shkak të “efektshmërisë dhe qëndrueshmërisë së papritur” të forcave të mbrojtjes ajrore ukrainase.
Raporti gjithashtu vë në dukje se kolona e madhe ruse në veriperëndim të Kievit ka “bërë pak përparim në më shumë se një javë” dhe po pëson “humbje të vazhdueshme” në duart e forcave të armatosura ukrainase.
“Me rritjen e viktimave, Putini do të detyrohet të tërheqë forcat e armatosura ruse nga vendet tjera për të zëvendësuar humbjet”, shton raporti.