Çfarë është taksa GAFA, do t’i sigurojë Francës 400 milionë euro në vit

Bruno le Maire, ministri francez i Ekonomisë dhe Financës bëri publik një ligj që do t’i sigurojë qeverisë franceze 400 milionë euro taksa këtë vit nga gjigantët teknologjikë si Apple, Google, Amazon, Facebook.

“Gjigantët teknologjikë me më shumë se 750 milionë euro fitime dixhitale globale dhe 25 milionë euro fitime dixhitale në Francë, do të taksohen. Kjo taksë 3% do të aplikohet vetëm mbi të ardhurat e tyre dixhitale dhe do të na mundësojë që ne të kemi një taksim më të ndershëm”, tha ndër të tjera ministri.

Taksa GAFA, do të jetë në shkallën 3% dhe do t’i vendoset kompanive me të ardhura dixhitale në Francë prej të paktën 25 milionë eurosh. Franca shpreson që të gjitha vendet anëtare të organizatës për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim, OECD, të marrin së shpejti masën, pavarësisht një dështimi të mëparshëm për të arritur dakordësi në nivel evropian.

Sipas ligjit të BE-së, gjigantët e internetit mund të zgjedhin të raportojnë të ardhurat e tyre në çdo vend anëtar, ndaj ata zgjedhin vende me sisteme taksash të ulëta si Irlanda, Holanda apo Luksemburgu.