Kur dhe si duhen filluar ushqimet shtesë?
Ushqyerje shtesë, ose plotësuese do të thotë që foshnjes t’i jepet, përveç qumështit të gjirit, edhe ushqime të tjera gjysëm të forta apo të forta, për t’i ofruar atij/asaj lëndët e nevojshme ushqyese për rritje, zhvillim dhe shëndet optimal. Kur foshnja e ushqyer me qumësht gjiri mbush 6 muajsh, nëna duhet të fillojë t’i japë edhe ushqime të tjera shtesë, pasi tashmë vetëm qumështi i gjirit nuk mjafton për të plotësuar nevojat ushqimore të foshnjës (aq më tepër nëse foshnja ushqehet me qumësht formule). Ky është një moment shumë i rëndësishëm në ushqyerjen e një individi që ndikon në rritjen dhe shëndetin e ardhshëm të tij. Duhet të dini se vetëm rreth moshës 6 muajsh rritet aftësia e foshnjes për të tretur dhe thithur proteina, yndyrna dhe karbohidrate të ndryshme nga ato që ka qumështi i gjirit dhe ai i formulave foshnjore.
Në praktikë, shenjat e zhvillimit që tregojnë se foshnja është gati për të pranuar ushqime shtesë të forta janë:
Është e aftë të qëndrojë ndenjur pa mbështetje
Kërkon, kap me dorë dhe fut në gojë ushqime, apo sende në mënyrë të saktë
Dëshiron të përtypë dhe fut në gojë lodra, apo objekte të tjera
Mban kokën mirë dhe drejt
Hap gojën kur shikon se i afrohet ushqim
Mban gjuhën poshtë dhe të ulur për të futur lugën
Mbyll buzët kur futet luga dhe tërheq ushqimin, ndërsa luga largohet nga goja
Mban ushqimin në gojë, e gëlltit dhe nuk e flak jashtë gojës tek mjekra