Mbretëria e Bashkuar, ku edhe është zbuluar varianti i ri, ka vendosur masa të ashpra izolimi dhe ka lëshuar urdhra për qëndrim në shtëpi, ndërsa shumë vende të tjera i kanë ndaluar fluturimet prej atje.
“Kur virusi e ndryshon metodën e sulmit, ne duhet ta ndryshojmë metodën e mbrojtjes”, ka thënë kryeministri britanik, Boris Johnson.
Varianti i ri është zbuluar për herë të parë në shtator. Në nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Londër kanë qenë të këtij varianti; në mes të dhjetorit, afro dy të tretat. Johnson ka thënë se varianti i ri mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm. Ai ka paralajmëruar se kjo mund ta rrisë për 0.4 vlerën R – një e dhënë që tregon nëse epidemia rritet ose zvogëlohet.
Të gjitha viruset dhe koronaviruset bëjnë mutacione gjatë gjithë kohës. Koronavirusi që është zbuluar për herë të parë në Vuhan të Kinës, nuk është i njëjti që qarkullon në të gjithë botën.
Mutacioni D614G është shfaqur në Evropë në muajin shkurt dhe është bërë forma mbizotëruese e virusit.
Një tjetër variant, i quajtur A222V, është përhapur po ashtu në Evropë dhe është lidhur me pushimet verore të njerëzve në Spanjë. Në një raport të publikuar të dielën, grupi këshillimor i Qeverisë britanike ka thënë se ka “besim të moderuar” se varianti i ri përhapet më shpejt se variantet e tjera. Ekspertët, megjithatë, kanë thënë se të dhënat janë paraprake dhe se bazohen në modelim.
“Edhe pse rezultatet varen nga cilësia dhe sasia e të dhënave, ky duket të jetë një variant i rëndësishëm, bazuar në të dhëna gjenetike. Është potencialisht më i transmetueshëm, por ne nuk e dimë sa dhe nuk kemi siguri absolute”, ka thënë dr Muge Cevik, nga grupi këshillimor.