Çfarë do të ndodh me rastin “Alfa”? Mariçiq: Nuk e ndjek në detaje, vendos gjykata!

Ende nuk dihet nëse do të ketë ripërsëritje ose jo të rastit “Alfa”. Lënda bazë për rastin është kthyer nga Gjykata e Apelit në Gjykatën Penale, por nga kjo e fundit ende nuk ka vendim, shkruan TV21. Mbrojtja nga java e kaluar pret formimin e Këshillit i cili do të vlerësojë nëse ekspertiza për rastin “Alfa” do të ndryshojë rrjedhën e rastit. I pyetur ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, i cili më nuk do të jetë më në këtë dikaster, se çka do të ndodhë me rastin “Alfa”, u shpreh se nuk e ndjek rastin në detaje, por për ripërsëritje eventuale të lëndës vendos gjykata.

“Nuk e di fillimisht nëse është kthyer. Nuk e ndjek rastin në detaje. Por nëse më pyesni për përsëritje eventuale të procedurës, për këtë gjithsesi vendos gjykata. Ne në këtë pjesë nuk mund të përzihemi. Ky është vlerësim dhe vendim i gjykatës në përputhje me faktet e dorëzuara, ose nëse janë dorëzuar fakte të reja për këtë rast”, tha mes tjerash Mariçiq.