A ka pasur një aksident në laborator? Çfarë e dallon SARS CoV-2 nga viruset e tjera të Coronës? Shërbimet sekrete amerikane po hetojnë mbi origjinën e pandemisë, Kina kritikon.
Në të gjithë botën janë vërtetuar si të infektuar me SARS CoV-2 rreth 170 milionë vetë dhe më shumë se 3,4 milionë kanë humbur jetën. Por nga vjen ky vírus kaq ngjitës që paralizoi me muaj ekonomitë në botë dhe shkatërroi ekzistencën e kushedi sa të tjerëve? Deri më tani ka pasur vetëm më shumë supozime se fakte, se ku e ka origjinën pandemia botërore.
Për një aksident të mundshëm në Institutin e Virologjisë në Vuhan, Kinë, raportoi së fundmi “Wall Street Journal” duke iu referuar një raporti të një shërbimi sekret amerikan, sipas të cilit në nëntor 2019 tre punonjës të institutit, të cilët u sëmurën rëndë me simptoma të njëjtja si ato të Covidit, kishin qenë në një klinikë. Shërbimet sekrete amerikane duan të mbledhin tani fakte të besueshme në vend të supozimeve për një ak*sident të mundshëm laboratori në Kinë dhe do të paraqesin një raport brenda 90 ditësh, këtë e ka urdhëruar presidenti Biden.
“SHBA do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me partnerët me të njëjtat synime për të rritur presionin ndaj Kinës, që të marrë pjesë në një he*tim ndërkombëtar të bazuar në fakte, të plotë, transparent dhe të lejojë qasjen në të gjitha të dhënat e provat e nevojshme”, tha presidenti Biden.
Kina ak*uzoi SHBA, se po politizon kërkimet dhe do t’ia japë Kinës fajin për pandeminë. Në të njëjtën kohë ky vend me gjasë vend origjine i virusit bllokon një hetim të hapur dhe hedh poshtë çdo lloj përgjegjësie.
Çfarë dihet për virusin?
Që në janar 2020, studiuesit kinezë gjetën shkakun për një shpeshtim të një sëmundjeje të mushkërive të panjohur më parë, nga e cila në qytetin Vuhan kishin humbur jetën shumë vetë. Në qelizat e tyre të rrugëve të frymëmarrjes ata gjetën gjenet e një virusi ARN nga familja e viruseve të Coronës, që u kategorizua në nëngrupin B (Betacoronavirus).
Ky vírus, që ishte definitivisht plotësisht i ri, kishte megjithatë ngjashmëri të madhe me virusin Corona, që solli shpërthimin e pandemisë SARS në vitet 2002-2004: SARS-CoV. Ky vírus i ri nga Kina jugore u përhap brenda pak javësh gati në të gjitha kontinentet. Në të gjithë botën u sëmurën 8096 persona – të testuar- dhe 774 vetë ndërruan jetë nga sindromi i një sëmundjeje të rëndë të rrugëve të frymëmarrjes. Edhe pse shifrat krahasuar me pandeminë e tanishme ishin shumë më të pakta, pandemia e atëhershme tregoi, se sa tmerrësisht shpejt përhapet një sëmundje ngjitëse në një botë të globalizuar.
Ku u zbulua për herë të parë virusi?
Disa studime japin të dhëna, se virusi ishte përhapur disa javë, ndoshta edhe disa muaj më parë, pra para se të zbulohej në dhjetor në Vuhan. Në Kinë sipas të dhënave të gazetës “South China Morning Post” ka pasur që në mesin e nëntorit një infektim të parë të testuar me SARS CoV-2. Kjo nuk do të thotë patjetër që ky infeksion e ka edhe origjinën në Kinë. Studiues të Universitetit Cambridge kishin publikuar në prill 2020 një studim, në të bazë të të cilit pandemia me shumë gjasa filloi në mes të shtatorit dhe fillim dhjetorit 2019, ose në Kinë ose në një vend kufitar.
Nga ana tjetër gjurmë të virusit të ri u gjetën në prova të ruajtura të ujërave të bardha në Itali dhe Brazil, që ishin marrë që në dhjetor, ose në nëntor 2019. Në Itali u gjetën madje në provat e gjakut të një testimi me pjesëmarrës të skanerit për kancerin e mushkërive antitrupa kundër SARS-CoV-2,- provat e gjakut ishin marrë që në shtator 2019 dhe shkurt 2020.
Që virusi mund të jetë përhapur që në vjeshtën e vonë 2019 në Evropë dhe prej mesit të nëntorit në Kinë nuk lejon përfundime të sakta për origjinën e pandemisë. Ai tregon vetëm se sa shpejt mund të përhapet një virus kaq agresiv në botë.
Nga cila kafshë vjen virusi?
Si skenari më i mundshëm konsiderohet një origjinë zoologjike përmes një kafshe ndërmjetës. Sipas skenarit, një kafshë e ka pasur virusin në fillim dhe e ka kaluar tek një kafshë tjetër. Por deri më tani as nuk është identifikuar saktë një kafshë potenciale si origjinë dhe as kafsha ndërmjetëse. Po ashtu të dyja viruset Corona SARS nuk janë identifikuar saktësisht në botën e kafshëve.
Por se të dy këto viruse Corona janë të vërtet të ngjashëm me viruset Corona që gjenden tek lakuriqët e natës, që gjenden në Azinë Juglindore. Sekuenca gjenetike e SARS-CoV-2 aktual përputhet 96,2% me virusin Corona RaTG13 – që u gjet në një lloj lakuriq nate. Kjo tingëllon shumë, por është vetëm një pikë e parë, sepse përputhshmëria e viruseve me kafshë të tjera si pangolinët nuk është më e vogël.
Për shkak se shumica e njerëzve nuk kanë kontakt direkt me lakuriqët e natës apo pangolinët, ekspertët kërkojnë për kafshë ndërmjetësuese, që kanë kontakt më të ngushtë me njerëzit, si psh vizonët.
A vjen virusi nga një laborator?
Ajo që dihet është se në Institutin e Vuhanit për virologji është eksperimentuar me virusin Corona RaTG13 dhe me RmYN02, sekuencat gjenetike të të cilëve përputhen 93,3% me SARS-CoV-2.(Current Biology, 2020; DOI: 10.1016/j.cub.2020.05.023). Nga kjo rrodhën dy skenarë: SARS CoV-2 mund të jetë prodhuar artificialisht si një armë kimike dhe/ose ka dalë gabimisht për shkak të një aksidenti.
Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë i quajnë të dy skenarët si “shumë pa gjasa”. Por ata nuk mundën të ishin plotësisht bindës, sepse me hetimet e tyre shumë të kufizuara ata nuk mund të bënin inspektime të pavarura apo të siguronin prova, sepse Kina nuk e lejoi këtë. Në vend të kësaj ata duhet të merrnin të dhëna të publikuara dhe të dhëna të partnerit kinez. Madje vetë kreu i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus kërkoi më vonë që të paktën hipoteza e një aksidenti në laborator të hetohet më tej.
Çfarë flet për një „ar*më biologjike”?
Prodhimin artificial të SARS-CoV-2 në një laborator në Vuhan shumë vetë e quajnë si shumë pa gjasa. Kështu një ekip i profesores së mikrobiologjisë, Kristian Andersen nga “Scripps Research Institute” në La Jolla, Kaliforni hulumtoi proteinën Spike në sipërfaqen e virusit, Në segmentin e genomit u panë dy dallime të mëdha mes SARS-CoV-2 dhe viruseve të ngjashme Corona. Proteina ka një ndërtim ndryshe, e vërtet që virusi mund të depërtojë më shpejt qelizat e njeriut, por për të qenë një “armë biologjike” struktura e virusit, sipas këtyre ekspertëve në La Jolla nuk është e rafinuar sa duhet.
Ak*sident laboratori?
Mbetet teoria se studiuesit kinezë kanë eksperimentuar me viruset e rre*zikshme Corona si psh. RaTG13 apo RmYN02, dhe se SARS CoV-2 gabimisht për shkak të një ak*sidenti ka dalë nga laboratori. Udhëheqja kineze e hedh poshtë kategorikisht këtë teori.
Edhe ekspertët e OBSH e shohin si me shumë pak gjasa këtë në bazë të të dhënave që iu ofruan. Kundër kësaj flet evoluimi i virusit, dhe tjetra, Instituti i Vuhanit për Virologjinë ka laboratorë të sigurisë së lartë. Tek të dhënat e ofruara nuk ka asnjë shenjë për aksident në laborator apo sëmundje të punonjësve.
Pikërisht kjo pikë nuk përkon me atë që ka publikuar “Wall Street Journal” duke iu refereruar shërbimeve sekrete, ku tre punonjës në nëntor 2019 treguan simptoma të afërta me Covid. Kina e hedh poshtë edhe këtë.
Deri tani ka supozime në vend të fakteve dhe refuzime në vend të transparencës – mbetet e hapur, nëse dikur ne do ta dimë se ku e pati origjinën kjo pandemi botërore. Dhe sidomos si të mos lejojmë që të përhapen pandemi të tjera.