Çerdhet private rrisin çmimet, nënat mund të detyrohen ta lënë punën

Inflacioni e rritja e çmimeve në Kosovë, tashmë ka prekur sektor të ndryshëm. Edhe ngritja e çmimeve për çerdhet, ka filluar t’i preukopojë prindërit që kanë fëmijët në këtë nivel të arsimit parashkollor.

Prindërit thonë se rritja e çmimeve është e papërballueshme, ndërsa pronarët e çerdheve thonë se qenë të detyruar të ngritin çmimet e vijueshmërisë.

Prindërit e shqetësuar

Tash e disa javë prindërit po shqetësohen rreth inflacionit në pagesat që ata duhen të kryjnë në mënyrë që fëmijët e tyre të vijojnë çerdhet.

Madje nënat, kanë filluar të shqetësohen në lidhje me punësimin e tyre, pasi që për shkak të ngritjes së çmimeve ato mund të detyrohen të heqin dorë nga vendi i punës.

Kaltrina Avdullahu Raçi nga Prishtina, është një nga këto nënat, që rritja e çmimit të çerdhes nga 90 në 130 euro, i ka krijuar probleme në punësimin e saj.

Ajo tha se e gjetja e tillë e rrezikon edhe punësimin e saj, pasi që detyrimisht detyrohej ta linte punën dhe të përkujdesej për fëmijën e saj në shtëpi.

“Rritja e çmimeve të çerdheve sigurtë se do më obligonte, ndoshta edhe me heqjen dorë nga profesioni, nëse nuk do i regjistroja fëmijët në çerdhe publike. Çerdhja publike po ma mundëson që të vazhdoj si një nënë në profesionin tim. Sepse nëse fëmijët e mi nuk do të pranoheshin në këtë çerdhe me siguri që me të ardhurat që kemi, nuk do mund të vazhdonim që fëmijët tanë të ishin pjesë e çerdheve e që është mëse e nevojshme për fëmijët, sepse socializohen dhe mësohen të shprehen e të bashkëpunojnë në grup” thotë Kaltrina.

Hallin e njejtë e ka edhe një nënë tjetër.

Fatush Sadriu thotë se kjo rritje e çmimit, është e papërballueshme për të si nënë e dy fëmijeve.

Ajo tregon se thuajse e gjithë rroga e saj, në vlerë prej 300 euro shpenzohet në pagesën e dy fëmijëve të saj në çerdhen private, tarifat e së cilës tash janë me rritje.

“Kjo rritje po është e vështirë për familjet, domethënë me një rrogë prej 300 euro thuajse krejt shkon në çerdhe, e mandej çka me ba? I kuptojmë çerdhet që është rritë çmimi i çdo produktit dhe janë detyru me rritë çmimin ama dikush duhet me zgjidhë këtë problem”, thotë ajo.

Tarifat e reja për çerdhe

Shumë çerdhe kanë treguar që kanë rritur çmimeve vetëm për 10 euro, e disa të tjera për 40 apo 50.

“ E kemi rritë 10 euro jo më shumë edhe pse shpenzimet janë rritë shumë ma shumë, duke u nisë prej qerasë e shportës së ushqimeve. Dmth neve na u kanë dyfishu çmimet e çdo gjëje. Nuk mendoj që është një rritje shumë e madhe përkundër rritjes drastike të çmimeve. Në raport me çerdhet e tjera nuk e kemi rritë shumë çmimin”, thotë drejtoresha e kopshtit Elida.

“Unë e kam shtrenjtu veç 10 euro, hiç ma shumë. Unë du me i rujtë klientat dhe iu kam qëndru besnike deri tash. Arsyeja është shumë e qartë po na imponohet nga rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë dhe materies për ngrohje” tha Gëzime Çollaku, drejtoreshë e Bardha Academy.

E një çerdhe tjetër, thotë se çmimi tek ta ka ndryshuar për 40 euro.

“Po kemi rritë çmimin për 40 euro, sepse jemi detyru”.

Kryetarja e Asociacionit të Institucioneve Parashkollore Private, thotë se çerdhet privat që nga mbyllja e shpeshtë në pandemi nga qeveria, ka pasur shumë probleme financiare në vazhdimësi pastaj.

Sipas kryetares Çollaku, qeveria as edhe njëherë nuk iu kanë lajmëruar ftesës së tyre për takim.

“Që nga pandemia çerdheve private iu ka përkeqësu gjendja financiare, sepse si u rritke numri i rasteve me COVID-19 i mbyllshin. E në atë kohë patëm kërku me u taku me qeverinë, nuk iu kanë përgjigjë ftesës tonë asnjëherë. E edhe tash ish dashtë me na ndihmu, por jo”, tha kryetarja e Asociacionit.