Centrali i parë fotovoltaik në Shkup, Zaev: Energjia diellore ul shpenzimet, mbron ambientin


Për herë të parë në lagjen Taftalixhe të Shkupit është lëshuar në përdorim një central fotovoltaik që përdor energjinë diellore për prodhimin e energjisë elektrike, njofton “TVM2”. Pronari i centralit shpreson që kjo do t’i mundësojë ulje të shpenzimeve personale, por edhe shitje të energjisë së tepër elektrike.

Për kryeministrin Zaev, ky central është dëshmi se Ligji i ri për Energjinë tashmë po jep rezultatet e para dhe ai fton edhe kompanitë dhe qytetarët e tjerë të mendojnë në këtë drejtim.

“Secila kompani të ketë mundësi të instalojë centrale fotovolatike dhe për nevojat e veta të prodhojë energji elektrike. Energjinë elektrike të tepërt mund ta shesin në tregun e lirë, të reduktojnë importet dhe të rrisin prodhimin, të ulin kostot e qytetarëve dhe kompanive dhe të ekonomisë për t’u bërë më konkurruese”,- tha kryeministri i R. Maqedonisë, Zoran Zaev.

EVN përshëndet përpjekjet e Qeverisë për përdorim më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

“EVN ka më shumë kapacitete dhe njohuri për t’i dhënë të gjitha trendet në sektorin e energjisë. Ne kemi ekspertë të lartë që mund të ofrojnë zgjidhje individuale për të gjithë individët e interesuar dhe personat juridikë”,- tha Sasho Stojkovski nga Bordi drejtues i EVN-së.

Qeveria premton gjetjen e mënyrave për të nxitur qytetarët që sa më shumë të instalojnë sisteme të tilla.