Çeliku: Më larguan pas dy mbledhjeve sepse kundërshtova skandalet e teksteve shkollore!

Intervistë me profesorin Arbër Çeliku, i cili në vitin 2013 është emëruar anëtar i Komisionit për botime pranë MASH-it dhe menjëherë është larguar pa asnjë njoftim

Lajm: Z. Çeliku, meqë keni qenë anëtar i Komisionit për botime pranë MASH-it, a mund të ta thoni diçka lidhur me tekstin skandaloz të gjeografisë, ku shqiptarët paraqiten si maqedonas, romë, turq, etj.? Si funksionon ai Komision dhe me çfarë metodologjie punon?
Arbër Çeliku: Po t’i referohemi të shkuarës së afërt, unë më shumë herë publikisht e kam paralajmëruar këtë fenomen, megjithatë nuk ka pasur asnjë reagim. Për më tepër, është relativizuar aq shumë e vërteta dhe si lajtmotiv kryesor i veprimtarisë publike është imponuar heshtja. Madje, edhe mosinteresimi institucional dhe politizimi i skajshëm i çështjeve kaq të rëndësishme kombëtare tonat.

Komisioni për botime në fjalë, i cili funksionon në kuadër të MASH-it, kur isha unë anëtar në vitin 2013, kishte mbi 25 anëtarë, nga të cilët 5 shqiptarë. Unë gjithsej mora pjesë në 2 mbledhje dhe të dyja i prisha. Në mbledhjen e parë duhej votuar recensioni i tekstit të muzikës, ku ninullat shqip ishin me personazhe maqedonas dhe unë reagova ashpër. Menjëherë m’u vërsulën anëtarët maqedonas, por unë nuk lëshova pe, madje kërkova që mbledhjen e radhës në rend dite të jetë edhe Abetarja mbarëkombëtare. Në mbledhjen e dytë, pasi u shpërnda rendi i ditës, si sot më kujtohet, pika 31 ishte Abetarja mbarkombëtare. U gëzova tej mase. Mendova me vete se, pasi është futur në rend dite, me siguri do t’ia dalim që ta fusim edhe në Maqedoni përdorimin e saj. Pasi u shterua pika 30 e rendit të ditës, kryetari kërceu te pika 32. Unë rwagova menjëherë, duke kujtuar se ishte rastësi. Ai ma ktheu, se kjo është pika 31. Jo i them unë, pika 31 është Abetarja mbarëkombëtare shqipe. Gabim e ke, ma kthen ai. Dhe unë e ngre rendin e ditës, nuk dinte çfarë të thoshte dhe u arsyetua se qenka gabim teknik. Domethënë, e kishin futur dhe e kishin hequr, por vetëm tek rendi i ditës, i cili m’u dha mua, kishte mbetur. Kërkova ta lëshoj mbledhjen dhe i kërcënova me konferencë për shtyp. Kryetari u zu ngushtë dhe kërkoi që t’i jepja kohë deri mbledhjen e radhës, me arsyetimin se do të zgjidhej kjo punë. Mbledhja u ndërpre përsëri. Atëbotë zv-ministri ishte shqiptar, më thirri në zyrë dhe më tha të mos ngreja pluhur për çështje kaq të vështira, të cilat zgjidhen vetëm politikisht. Atëherë, i thashë, cili duhet të jetë roli i im si anëtar i Komisionit respektiv, unë nuk jam robot vetëm për të ngritur gishtat në mbledhje. Mbledhje të radhës nuk kishte për mua, më larguan, madje, as pa më njoftuar paraprakisht.

Për ta kuptuar punën dhe metodologjinë, jua them nga përvoja ime, ngaqë kam përfaqësuar edhe Universitetin e Tetovës shumë herë në mbledhjet e qeverisë, kur duhej dhënë raporti vjetor, asnjë ministër shqiptar nuk ndodhej në ato mbledhje maratonike 7-8 orësh, ata hynin, hapnin telefonat dhe pas 5-10 minutash dilnin, për të mos u kthyer më kurrë. Po ashtu 3 vjet kam qenë profesori kryesor në Komisionin për përkthyes gjyqësor në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, vinin me listat e kandidatëve që duhej kaluar, pa marrë parasysh faktin se shumica e tyre ishin me njohuri të pakta ose nuk kishin aspak njohuri sa i përket fushës së përkthimit nga gjermanishtja në maqedonishte dhe anasjelltas. Gjuha shqipe nuk merrej parasysh. I indinjuar edhe me këtë rast, dhashë dorëheqje, pasi u përplasa me njërin ministër, i cili kërkonte me ngulm që ta kaloja një kandidate, e cila kishte probleme elementare drejtshkrimore në të dyja gjuhët.

Lajm: Profesor, ju thoni se për këto shtrembërime historike, nuk i kanë fajet vetëm maqedonasit?
Arbër Çeliku: Politika maqedonase, duke qenë një vazhdimësi e politikave jugosllave ndaj nesh shqiptarëve, ndjek një linjë zhvillimore dhe që është: Minimizimi i çdo gjëje shqiptare në RMV. Megjithatë, në taborin tonë, po ndodh një katrahurë e vërtetë. Shumica e ekspertëve (t’i quaj kështu) që delegohen, s’para e bëjnë punën siç duhet. Për ta më shumë rëndësi kanë pagesat në pjesëmarrjen në këto komisione qeveritare, se sa e vërteta. Kur marrin instruksione nga politika të heshtin, ata heshtin. Dhe, çuditërisht, për çështje kaq jetike kombëtare, të gjithë heshtin: politika dhe shumica e ekspertëve. Nëse nuk hesht, të ndodh sikur mua, të heqin pa paralajmërim, ose të detyrojnë të tërhiqesh nga brejtja e vazhdueshme e ndërgjegjes.

Lajm: Çfarë mëtutje profesor?
Arbër Çeliku: Isen, ka humbur sensi për të bukurën. Komercializmi, sa vjen e më shumë, po kthehet në formën tonë kryesore të jetesës. Dhe aty ku dominon komercializmi, interesi kombëtar sa vjen e po bëhet më i largët, më i pakapshëm