Çavusoglu nxjerr hartën: Kjo i tronditi të gjithë, s’ka paqe për Greqinë nëse nuk ndryshon

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu deklaroi se vendi i tij nuk është tërhequr nga pretendimet në Egjeun Lindor kundrejt Greqisë.

Në një konferencë për shtyp, Çavusoglu deklaroi se tërheqja në portin e Antalias e anijes “Oruç Reis” u bë për shkak se ajo është duke iu nënshtruar një kontrolli teknik, shkruan abcnews.al.

“Kur anija është në port nuk ka nevojë të shpallësh një NAVTEX të ri”, iu përgjigj ai kritikëve që e konsideruan këtë zhvillim si një tërheqje të Turqisë përballë presionit grek dhe atij të BE-së, raportojnë mediat turke.

Çavusoglu paraqiti gjithashtu një hartë të ujërave territoriale greke dhe turke në Egjeun Lindor duke theksuar se këtë ia paraqiti edhe Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo.

“Kur ia paraqita këtë hartë Pompeos, ai më tha se e dinte situatën. Atëherë presim që të sillen sipas kësaj situate”, tha Çavusoglu duke theksuar se nëse Greqia nuk heq dorë nga kjo hartë, nuk ka se si të ulet tensioni në rajon.