Carovska: Nuk ka nevojë për panik, jemi të gatshëm për çdo skenar

Ministrja e Arsimit Milla Carovska u shpreh e prerë se mësimi nga shtatori do të nisë në shkolla. Ajo tha se nuk ka nevojë për përhapje të panikut pasi do të veprojnë në përputhje me rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse. Në rast se përkeqësohet gjendja epidemiologjike, Carovska tha se shkollat janë të gatshme për zbatimin e tre skenarëve. Nga UNICEF vlerësojnë që në të mirë të nxënësve është që shkollat të mbeten të hapura sa më gjatë që është e mundur.

“Skenarët që nuk i dëshirojmë janë ai i dyti dhe i treti. Ashtu siç rekomandojnë nga UNICEF dhe OECD dhe të gjitha shtetet që janë më të zhvilluara nga ne, prania fizike është më e dëshiruar, më e përshtatshme dhe ne jemi të gatshëm për këtë model të mësimit, në përputhje rekomandimet e Shtabit të Krizës dhe vendimit të Qeverisë”- deklaroi Milla Carovska, Ministre e Arsimit.

“Plani është të fillojmë që 100% e nxënësve të kthehen në bankat e shkollës, për më tutje do të shohim. Ajo që është më e mirë për komunitetin është edhe më e mira për shkollat. Masat që do të vlejnë për të gjithë duhet të vlejnë edhe për shkollat. Duhet të përpiqemi që virusi të jetë larg bashkësisë dhe larg shkollave”- pohoi Particija Di XHovani, përfaqësuese e UNICEF-it.