Carovska: Nuk ka asgjë të diskutueshme në lidhje me pagesën e K-15 në marrëveshjen kolektive për administratën shtetërore

Zëvendëskryeministrja për Çështje Ekonomike, Mila Carovska mendon se nuk ka asgjë të diskutueshme në atë që është e paraparë pagesa e K-15 në marrëveshjen kolektive për administratën shtetërore, që duhet ta nënshkruajnë Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratë dhe Sindikata e DOJSH-së.

Ajo sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se nëse partnerët socialë pranuan se K-15 ishte e rëndësishme për të siguruar vende pune me cilësi ose për t’i bërë punëtorët të ndjeheshin më mirë, atëherë kjo është një çështje që ata e kapërcyen bashkërisht.

“Ajo që e ka bërë shteti në negociimin e strukturave të mëparshme sindikale dhe qeverisë së mëparshme është humbje e më shumë të drejtave, si në sektorin real ashtu edhe në atë publik. Mendoj nëse partnerët socialë MSHIA dhe DOJSH konfirmuan se kjo është një çështje që i nevojitet një grupi të caktuar të punonjësve, atëherë kjo është çështje që e kanë kapërcyer. Nëse të dyja palët dakordohen se diçka është e rëndësishme, atëherë kush është ai nga jashtë që mund të tregojë se a është e rëndësishme apo jo”, tha Carovska.

Sipas Carovskës, produktiviteti i administratës nuk duhet të përgjithësohet sepse, siç tha ajo, një pjesë e administratës mund të mos jetë plotësisht produktive, por ka edhe pjesë që tregojnë rezultate të shkëlqyera.

“Të gjitha masat për të cilat po flasim dhe të gjitha politikat ekonomike që ne zbatojmë janë të justifikuara dhe zbatohen nga një pjesë e caktuar e administratës. Unë mendoj se nuk duhet ta zhvlerësojmë asnjë punëtor në shtet sepse kemi pak potencial njerëzor, i cili duhet të përdoret në zhvillimin e shtetit. Si zëvendëskryeministre do të përpiqem t’i mbështes vazhdimisht punëtorët produktivë dhe të ofroj mundësi që të rriten të gjitha pagat në shtet”, tha Carovska.

Ajo shtoi se racionalizimi i institucioneve të caktuara është i nevojshëm dhe se kjo është diçka për të cilën diskutohet dhe negociohet.

Teksti i marrëveshjes kolektive për administratën u vendos dje në një seancë qeveritare. Për të, dy vitet e fundit negociuan Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Sindikata e DOJSH-së. Midis tjerash, një nga kërkesat e Sindikatës ishte edhe pagesa e K-15.