Carovska në Ohër në promovimin e fushatës “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm” për arsim të mesëm profesional

Të rinjtë nga Ohri dhe komunat përreth mund të bëjnë zgjedhje të mirë të arsimit të mesëm. Nga gjithsej katër shkolla të mesme në qytet, tre ofrojnë edukim profesional, gjegjësisht paralele për profile në shumë profesione të ndryshme që kërkohen në tregun e punës, sigurojnë punësim të shpejtë dhe të ardhura të mira, dhe kështu mirëmbajnë dhe zhvillojnë ekonominë lokale dhe veprimtarinë ekonomike në këtë pjesë të vendit.

Këtë e deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska gjatë vizitës së sotme në shkollat profesionale në Ohër, të cilat në kuadër të fushatës “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm “, organizojnë ditë të hapura për nxënësit e ardhshëm të shkollave të mesme dhe i njoftojnë ata me përfitimet e arsimit profesional.

“Pres që edhe këtë vit interesi për profesionet të jetë i madh, gjegjësisht si çdo vit dy herë më i madh se sa për arsimin e përgjithshëm – Gjimnaz , sepse në fakt të rinjtë këtu njohin mundësitë që ofron arsimi profesional dhe e dinë që ajo është opsioni që ofron perspektivë dhe një të ardhme të mirë për ata”, theksoi Carovska. Ajo shtoi se janë hapur paralele në drejtimin hotelieri – turistike , kimi-teknologji, komunikacion, makineri, elektroteknikë dhe shërbime personale dhe, siç tha ajo, të gjitha janë zgjedhje të mira dhe të vlefshme.

“Këtë vit, një motiv shtesë për regjistrimin në një shkollë profesionale duhet të jetë forcimi dhe zgjerimi i konceptit të arsimit dual. Bëhet fjalë për koncept që nënkupton trajnim praktik në kompani, në krahasim me mësimin e teorisë, që në vetvete nënkupton arsim më interesant dhe të dobishëm për të rinjtë,” theksoi Carovska, duke shtuar se politika e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për bursat ka ndryshuar. Për herë të parë këtë vit, çdo nxënës i shkollës së mesme i regjistruar në klasë duale , nëse i plotëson kushtet, do të shpërblehet me një bursë mujore në vlerë prej 3500 denarë.

Ministrja falënderoi komunat dhe kompanitë që morën pjesë në dialog për krijimin e politikës së regjistrimit që kënaq të gjithë palët e interesuar dhe mbi të gjitha ndihmon vendin për të ecur përpara duke ulur papunësinë e të rinjve dhe duke rritur aktivitetin ekonomik.
Gjithashtu theksoi se nga ky vit shkolla e mesme profesionale “Vanco Pitosheski” do të shndërrohet në qendër rajonale për arsim dhe trajnim profesional dhe do të ndihmojë jo vetëm të rinjtë që të realizohen profesionalisht, por edhe banorët e moshuar të kësaj ane.

“Ideja e kësaj dhe e dy qendrave të tjera rajonale në vend është që të mundësojnë marrjen dhe njohjen e kualifikimeve në bazë të të mësuarit formal, joformal dhe informal. “Sistemi aktual nuk i njeh dhe ky është problem, sepse shumë njerëz të moshuar thjesht kanë disa njohuri, por ato njohuri nuk janë verifikuar dhe ato nuk mund të integrohen, për të qenë produktive për veten dhe shoqërinë,” tha Carovska.