Bytyqi: Zgjodhëm model adekuat për ta ndihmuar sektorin turistik-hotelierik

Nga 17,8 milionë euro, sa peshon pakoja e gjashtë e masave ekonomike, vetëm për hotelierinë janë paraparë 9,9 milionë euro dhe konsiderojmë se ky është model adekuat, I drejtë të cilin e zgjodhëm për ta ndihmuar sektorin turistik hotelierik, vlerësoi sot zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.

“Modelin e bazuam në atë që të gjithë kemi mbjellur. Nëse në vitin 2019 dhe 2020 kompanitë kënaqeshin në ekonominë joformale, ndërkaq që sot kërkojnë ndihmë nga shteti, për fat të keq nuk mund të përgjigjemi. Por, të gjithë të cilët kanë vepruar dhe kanë operuar në mënyrë adekuate do të marrin ndihmë adekuate sipas modelit që e krijuam – kompensim të një pjese të të ardhurave dhe kompensim të një pjese të rrogës për çdo të punësuar”, tha Bytyqi në përgjigje të pyetjes pas inaugurimit të fabrikës së kompanisë gjermane “Gereshajmer” në ZZHTI Shkup 2 në Bunarxhik.

Ai theksoi se edhe deri më tani është takuar me përfaqësues të Odës turistike-hotelierike, ndërkaq sërish do të shihet me ta për të biseduar.
“Duhet të kuptojmë se edhe në periudhë të krizës duhet të tentojmë të krijojmë sistem I cili është I qëndrueshëm dhe I cili do të japë efekte pozitive shtesë në afat të mesëm. Konsideroj se ky model njëherë e përgjithmonë do t’I filtrojë ata të cilët meritojnë të marrin ndihmë, ndërkaq për ata që meritojnë më pak shpresoj se do t’I përfshijmë me programet tjera rrjedhëse me të cilët punojmë në asgjësimin e ekonomisë gri, në rritje të punësimeve”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri theksoi se në zhvillimin dhe krijimin e politikave ka sy qasje nga të cilat e para është, siç tha, një kapelë për të gjithë, ndërsa e dyta është kapelë e qepur për të ndryshmë.
“Ne krijojmë modele dhe politika të hartuara për kategori të caktuara të hotelierëve”, saktësoi Bytyqi.