Bytyqi paralajmëron shlyerjen e borxheve të rreth 180 mijë qytetarëve


Në pakon e pestë ekonomike nuk do të ketë kartela pagesore si ndihmë direkte në xhepin e qytetarëve, por Qeveria po planifikon që të vazhdojë me masën e vauçerëve për turizëm. Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, thotë se pakoja e pestë ka qasje të re dhe se një prej masave më të mëdha do të jetë shlyerja e borxheve për shërbimet komunale e të paktën 180 mijë qytetarëve.

“Ne kemi qytetarë, familje që me vite të tëra kanë shuma të konsiderueshme të borxheve, por shuma bazë është 3 deri në 5 herë më e vogël se interesat që duhet të paguajnë tek kompanitë apo tek vetë shtetit, duke ia falur një pjesë të tillë mendojmë se është ndihma më e madhe që për momentin shteti mund t’ia jep çdo qytetari të RMV-së”, njoftoi Bytyqi.

Kreu i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, i pyetur për frikën e sipërmarrësve se Qeveria mund të ndërpresë subvencionimin e pagave dhe të japë kredi pa kamatë për kompanitë, tha se subvencionimi i pagave duhet të mbetet, por qeveria nuk ka para!

“Sepse ekonomia nuk gjeneron të ardhura që të paguajë taksa, e këto taksa të kthehen në ekonomi. Nuk kanë para, paratë i ruajnë për ryshfet, për kartela, e kështu me radhë. Prandaj nuk duan ta ndihmojnë ekonominë me ndihmë për rroga por duan të japin kredi”, deklaroi Mickoski.

Zëvendëskryeministri Bytyqi pohon se asnjëherë nuk është thënë se subvencionimi i pagave do të ndërpritet, por ajo që po diskutohet është modeli i mbështetjes së kompanive.
“Mbështetje financiare për rroga, për kompanitë e goditura nga kovid-kriza do të ketë!”, sqaroi më tej Bytyqi.

Pakoja e 5-të ende nuk është prezantuar. U pat paralajmëruar që këtë javë të arrihet një konsensus, por zëvendëskryeministri thotë se ende po vazhdojnë diskutime me aktorë të ndryshëm. Beson se nga mesi i javës së ardhshme do të prezantohen të gjitha masat e pakos së 5-të, e cila do të peshojë nga 50 deri në 60 milionë euro si implikime të drejtpërdrejta të buxhetit, por implikimet fiskale do të arrijnë deri në 150 milionë euro.