Bytyqi njofton për marrëveshjen me Kroacinë, kompanitë do të kenë të drejtë të reduktimit të TVSH-së


Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, sot pati fjalim në Forumin e biznesit të Odave Ekonomike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kroacisë.

Nga Qeveria informojnë se në kuadër të Forumit të biznesit, zëvendëskryeministri Bytyqi pati takim bilateral me zëvendëskryeministrin kroat dhe ministër për det, qarkullim dhe infrastrukturë, Oleg Butkoviq, në të cilin biseduan për përvojat e Kroacisë në negociatat aderuese me BE-në, si dhe avancimin e konkurrencës rajonale si katalizator për procesin për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e rajonit.

Në takim, siç theksohet, dy nënkryetarët biseduan edhe për marrëveshjen bilaterale për shmangien e tatimit të dyfishtë midis Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Ministritë e financave të dy vendeve, të Republikës së Kroacisë dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, do t’i rirregullojnë të gjitha të drejtat dhe obligimet shtesë të cilat kanë të bëjnë me marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë midis Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim që kompanitë e dy vendeve të kenë të drejtën e reduktimit të TVSH-së për qarkullim të realizuar në vendin tjetër”, thuhet në kumtesë.

Para fillimit të Forumit të biznesit, takim kanë mbajtur edhe përfaqësuesit e odave të dy shteteve, të cilit iu bashkuan edhe nënkryetarët Butkoviq dhe Bytyqi. Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Odës ekonomike kroate, Luka Bariloviq, kryetari i Klubit të biznesit maqedono-kroat, Ivo Usmiani, kryetari dhe drejtori ekzekutiv i Odës ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski dhe Antoni Peshev, kryetari i Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi, Hoxha, nënkryetari i Lidhjes së odave ekonomike, Orce Simov si dhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kroacisë, Milaim Fetai.

Forumi i biznesit është në organizim të Odës ekonomike kroate, ndërsa marrin pjesë përfaqësues nga Oda ekonomike e Maqedonisë së Veriut, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, Lidhja e odave ekonomike, si dhe një numër i madh i kompanive nga të dyja vendet.