Bytyqi: Kufijtë vendosen lehtë, por largimi është i vështirë!

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi ka treguar se nesër, në kuadër të Forumit Ekonomik që do të mbahet në Shkup, do të nënshkruhen një sërë marrëveshje për bashkëpunim rajonal.

I pyetur se nëse në këtë Forum do të ketë ndonjë vendim për menaxhim më efikas dhe përmirësim të kushteve në kufij, Bytyqi me përgjigje:
“Kufijtë vendosen lehtë, por largimi i kufijve është proces i vështirë. Për fat të keq, ne ishim dëshmitarë të kësaj. Duhej një ditë që të vendosen kufijtë, kurse na u desh 30 vjet që të largohen barrierat për tregti të lirë. Sigurisht, edhe me Procesin e Berlinit, por edhe me Iniciativën për treg të përbashkët rajonal, ne treguam se si shtet jemi njëri nga aktorët kyç që të mundësohet ky treg i përbashkët rajonal”, tha Bytyqi.

Bytyqi njoftoi se në Forumin e nesërm ekonomik do të nënshkruhen disa marrëveshje, që sipas tij, në thelb nënkuptojnë fillimin e zbatimit praktik për mobilitet më të shpejtë të njerëzve, të mallrave dhe të shërbimeve rajonale. Do të nënshkruhet edhe marrëveshje për menaxhim të përbashkët të gjendjeve të krizës dhe për reagim të përbashkët në momentet e krizës.
“Konsideroj, se nesër është fillimi i zbatimit të asaj që flitet për disa vite, kurse është në përputhje me Procein e Berlinit dhe asaj që ishte Agjendë e përbashkët për krijimin e tregu rajonal”, tha Bytyqi.

Përndryshe, në Shkup sot dhe nesër do të mbahet iniciativa për bashkëpunim, e njohur si “mini Shengen”, ku do të marrin pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Me këtë rast, ata do të marrin pjesë në Forumin ekonomik për bashkëpunim rajonal të organizuar nga Odat ekonomike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Serbisë.