Bytyqi: DAP me sukses është përgjigjur në sfidat për digjitalizimin dhe dhënien e shërbimeve cilësore të obligacioneve

Aktivitetet dhe sfidat tatimore të Drejtorisë për të Ardhura Publike (DAP) ishin temë e diskutimit në takimin e sotëm të punës midis zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike, koordinim të resorëve ekonomikë dhe investimeve, Fatmir Bytyqi dhe drejtoreshës së DAP-it, Sanja Llukarevska.

Siç informuan nga Kabineti i zëvendëskryeministrit, Bytyqi dhe Llukarevska në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta, ata së pari vizituan Drejtorinë për tatimpaguesit e DAP-it.
“Kjo Drejtori, administron 366 tatimpagues më të mëdhenj në vend dhe paguan 44.63 përqind nga pagesa e përgjithshme e tatimeve”, informoi Llukarevska gjatë vizitës.

Drejtoresha e njoftoi zëvendëskryeministrin Bytyqi me aktivitetet aktuale dhe sfidat me të cilat përballet Drejtoria, në zbatimin e aktiviteteve tatimore, si dhe për rezultatet e suksesshme të arritura nga mbledhja e taksave dhe partneriteti që kjo Drejtori e ruan me tatimpaguesit.

Takimi i punës vazhdoi edhe në Drejtorinë e përgjithshme, ku zëvendëskryeministri Bytyqi, drejtoresha Llukarevska dhe udhëheqja e DAP-it diskutuan për zbatimin e suksesshëm të masave anti-krizë. Për më tepër, ata e njoftuan zëvendëskryeministrin me projektet aktuale të implementuara nga DAP, siç janë: e-taksat, e-MPIN, rimbursimi automatik dhe shlyerja, regjistrat personalë dhe llogaritja e taksave.

Të gjitha këto projekte janë zbatuar në mënyrë që të përmirësojnë praktikat e biznesit dhe të bëjnë ndryshime në përputhje me transformimin e përgjithshëm dixhital, në mënyrë që të administrohen më mirë të ardhurat nga taksat dhe kontributet dhe të ofrojnë shërbime cilësore për tatimpaguesit.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se ky është një nga institucionet më të rëndësishme, një nga shtyllat e ekonomisë.
“Koronavirusi na ka treguar se dixhitalizimi është i nevojshëm kudo, dhe ju si institucion në një kohë pandemie i jeni përgjigjur plotësisht sfidës”, theksoi Bytyqi dhe theksoi rolin e madh që ka DAP në zbatimin e masave ekonomike për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë gjatë krizës.

Gjatë aktiviteteve u theksua se në mars të vitit 2021, Drejtoria për të ardhura publike realizoi mbledhjen e taksave në vlerë prej 7,720,610,346.00 denarë, e cila krahasuar me të njëjtin muaj në vitin 2020 është një mbledhje më e lartë e taksave nga kompanitë, që është një shenjë e mirë se ekonomia gradualisht po rimëkëmbet. Individualisht, tatimi mbi vlerën e shtuar u rrit me 29.49 përqind, mbledhja e tatimit mbi të ardhurat personale ishte më e lartë me 12.55 përqind, ndërsa mbledhja më e ulët me 1.32 përqind u regjistrua vetëm në tatimin mbi fitimin.