Byroja për Furnizime Publike – Nuk ka përfaqësim të drejtë dhe adekuat

Në 18 pozicione udhëheqëse në Byronë për Furnizime Publike, 15 janë maqedonas, një pozicion i takon një përfaqësuesit të komunitetit shqiptar dhe një të atij turk, ndërkohë që një pozicion mbetet i zbrazët. Kështu thotë organogromi i këtij institucioni që ndodhet në ueb faqen zyrtare, që flet për mosrespektim të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në këtë institucion shtetërorë.

Drejtori Borçe Haxhiev arsyetohet se promovimet dhe pozicionet drejtuese ndahen mbi baza të kualifikimeve dhe përvojës profesionale.

BORÇE HAXHIEV, DREJTOR I BYROSË PËR FURNIZIME PUBLIKE
“Në këtë institucion promovimet dhe pozicionet udhëheqëse nuk ndahen mbi baza të përkatësisë etnike, por sipas kualifikimeve dhe përvojës profesionale”

Përveç kësaj, edhe sistemi elektronik për furnizime publike paraqitet vetëm në gjuhën maqedonase, ndërkohë që vetëm disa të dhëna sipërfaqësore figurojnë edhe në gjuhën shqipe. Në këtë byro rreth një muaj më parë, me kërkesë të qytetarëve është kryer kontroll i jashtëzakonshëm nga inspektorati për përdorimin e gjuhës dhe janë shqiptuar vërejtje, raporton tv Klan M.

FATMIR ISENI, DREJTOR I INSPEKTORATIT PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE

“Para një muaji kemi pas një ankesë nga qytetarët sa i përket byrosë për furnizime publike ku inspektorët në afat prej 10 ditësh dolën në kontroll, bënë mbikëqyrje inspektuese të institucionit dhe kishin pasur përgatitur proces verbal dhe byroja për furnizime publike ka edhe aktvendim të miratuar në këtë drejtim.. Deri më tani, për periudhën katërmujore janë bërë 36 inspektime nga të cilat 25 janë të rregullta dhe 11 të jashtëzakonshme që llogariten me iniciativë nga qytetarët, këtu mund të ceki se institucionet që u bëhet mbikëqyrje inspektuese nga inspektorati për përdorimin e gjuhëve për shembull më tepër uebfaqet, aktet nënligjore, vendimet, formularet, këto institucione, 23 prej tyre që kanë aktvendime të miratuara me vërejtje ku janë hasur këto problematika, në ueb faqet e tyre, janë në dy gjuhë por nuk plotësohen me dokumentacione në dy gjuhë, aktet nënligjore që i sjellin organet, vendimet që duhet të jenë në dy gjuhë.”

Inspektorët japin afat kohorë për përmirësimin e lëshimit, mosrespektimin e ligjit për përdrorimin e gjuhëve dhe institucioni është i obliguar të informojë për masat e ndërmarra për përmirësimin e vërejtjeve nga inspektorati.

/KlanMacedonia/