Buxhovi: ““Ilindeni” mbrojti interesat bullgare dhe assesi shqiptare!”

Përkujtesë historike: Kryengritja e “Ilindenit” 2 gusht 1903

Jusuf BUXHOVI
Kryengritja e “Ilindenit” e 2 gushtit 1903, u iniciua dhe u përkrah nga Bullgaria. Sofja, si dhe Beogradi, kishte interesat që çështja e Maqedonisë të humbte tretmanin e çështjes shqiptare, për t’u kthyer në një çështje , që duhej të gjente zgjidhje në copëtimin e saj midis Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë. Jo rastësisht u zgjodh Krusheva (në vilajetin e Manastirit) në mënyrë që ky projekt të fitonte edhe “legjitimitet” etnik të “popullatës së përzier”, ku shqiptarët e besimit orotodoks dhe vllehet shfaqeshin si shumicë.

Në këtë lëvizje u përfshinë edhe shqiptarët ortodoksë të fshatrave përreth detyrimisht: në njërën anë, si “vullnetarë” të mobilizuar nga Ekzarkati (kisha bullgare). Dhe në tjetrën anë, nga militantët e VMRO-së, që po ashtu, u vunë në veprim për djegien e katundeve shqiptare të besimit mysliman në pjesën e Manastirit dhe përreth, me çka u krijua mundësia për një vëllavrasje shqiptare për intresa të huaja, siç ndodhi në të vërtetë me kundërpërgjigjen që erdhi nga Myteserifi i Shkupit, i cili mobilizoi redifet nga radhët e shqiptarëve myslimanë për ta shuar kryengritjen.

Pra, si e tillë, kjo lëvizje e projektuar nga interesat ruso-sllave dhe të disa faktorëve të tjerë europian nën moton “Maqedonia maqedonasve”, nuk ishte as projekt as interes i lëvizjes kombëtare shqiptare në përputhje me kërkesat e dala në “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” dhe nga “Lidhja e Pejës” për autonominë shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane, që me katër vilajetet e bashkuar shqiptare në një, do të kishte fizionominë e një Shqipërie Osmane si urë kalimtare tek Shqipëria Europiane.

Meqë i ashtuquajturi “Manifest i Krusheves”nuk ka ekzistuar, por është shpikur nga KOMINTERNA ne mbledhjen e dyte te saj me 1933 per t’u mashtruar shqiptaret e te tjeret ne Maqedoni qe te mos kundershtojne lindjen e nje shteti ku do jene pakice, gjë që e gjitha mund të dëshmohet nga verbali i Komintern-it, madje edhe kush e ka propozuar dhe kush eshte caktuar te shkruaje “manifestin”, historianët institucionalistë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, gjithnjë me ngarkesa ideologjike dhe klishetë internacionaliste, duhet të rishqyrtojë qëndrimet antishkencore rreth kësaj ngjarje në mënyrë që ajo të vlerësohet në përputhje me të vertetën historike dhe jo koniunkturat e caktura politike të kohës./21Media