Burri nga Serbia e rreh gruan e tij dhe e lë në mes të autostradës në Maqedoni

Një grua e lënduar u gjet mbrëmë në autostradën pranë Demir Kapisë, informon sot Sektori për Punë të Brendshme – Veles.

Mbrëmë, në orën 19:50, në autostradën A1 Demir Kapi – Negotinë, pas pikës së pagesës “Demir Kapi”, pranë korsisë së djathtë, oficerët e policisë nga DPB– Negotinë e gjetën S.M., 49 vjeçe nga Republika e Serbisë, e cila kishte lëndime në trup. U zhvillua një bisedë me burrin e saj, B.M., 52 vjeç nga Republika e Serbisë, i cili tha se, ndërsa kthehej me S.M. dhe djalin e tyre të mitur dhe mbesën nga pushimet në Greqinë e Jugut, S.M., e cila kishte probleme shëndetësore, e kishte sulmuar fizikisht. Pas një zënke fizike, ai ndaloi automjetin dhe e la S.M. pranë rrugës, duke vazhduar me fëmijët drejt pikës kufitare “Tabanoc”, sqaruan nga SPB – Veles.

Nga Ndihma e Shpejtë – Negotinë, S.M. iu dha ndihma mjekësore dhe më pas u transportua në institucionin shëndetësor “Negorci”. Për ngjarjen u njoftua prokurori publik dhe po merren masa për zbardhjen e plotë të rastit.