Burri edhe mund të bëhet lider por, gruaja është lidere e lindur!

Nga: Pranvera Kasami

Jo gjithkund si në vendin tonë 8 Marsi pritet me kaq entuziazëm, madje me plane nga më të ndryshmet për të festuar.

S’ka të keqe të festojmë. Bile edhe te gjenerata e re eshte bartur po ky entuziazëm dhe pritshmëritë për 8 Marsin janë nga më të ndryshmet, prej te gjerat materiale, deri te vetem ajo-“leja” që duhet ta merr nga shtëpia, për të kaluar një kohë jashtë rutinës së perditëshme, për çfarë planifikimet nisin një muaj perpara.
Çfarë në fakt festojmë? – Festojmë lirim prej zinxhirit, vetëm për një ditë, festojmë garantimin e të drejtave tona që i takojnë përditë gruas, ashtu si edhe burrit, por gruaja vetëm në këtë ditë.

Çfarë bën gruaja në këtë ditë? – vishet mirë, rregullohet, mbase dhe merr dhuratë , që të ndihet mirë, në radhë të parë me veten, në këtë ditë. Bën atë që në fakt ajo duhet ta bëjë përditë. Bën atë që burri i mentalitetit tonë e bën gjatë gjith jetës së tij, vishet mirë , rregullohet, del, shpenzon kohë me kë ti doje qejfi dhe kthehet,e prapë kështu në cikël, a thua se vallë i ishte premtuar një jetë hoteli, pa asnjë përgjegjësi rreth mirëmbajtjes së perditshme të ambientit, ku ai e kalon kohën, si edhe gruaja, shtëpisë.

Le të festojme heqjen e zinxhireve për 8 Mars, që pastaj me 9 mars, ti rivendosim sërish që në mëngjes, duke e nisur ciklin e kujdesjes për shtëpinë, pastërtinë, ushqimin, larjen-shpërlarjen, fëmijët, anëtarët, mysafirin, eventet sociale familjare…. shërbim, pa asnjë pritshmëri, pa asnjë shpërblim, sepse nëse do priste shpërblim do quhej “interesxhije” ndërkohë që burri i cili merr gjith këtë shërbim në mënyrë konstante dhe atë falas!, ky nuk është interesxhi. Dhe ajo prapë, me përkushtim dhe vetëflijim e mbase deri në vetëmohim.

Dhe pyesin pastaj – gruaja a mund të jetë lidere?
Gruaja ËSHTË lidere me aq sa e kuptuat më lartë, sepse pikërisht lider-llëku (siç do thonim në gjuhë popullore), është të shërbyerit, por jo vetes, të tjerëve, është udhëheqje, është ta mendosh tjetrin krahas vetes, apo edhe përpara vetes.
Jo more, a mos kishit menduar se më i mirë mund të jetë një lider-burrë- i cili mirëfilli, as ambientin e vet ku jeton nuk e mirëmban dot?
Ma thoni, si e keni hallin kur prisni që ai të mirëmbajë ambientet tuaja? Si e keni hallin ju që ende vazhdoni e besoni se botën do ta bëjnë më të mirë burrat? – Do vdisni e shkoni por këtë s’keni për ta përjetuar nëse vërtet shpresoni kështu.

Cilët burra?
Ata që në shtëpi e trajtojne gruan si një skllave, që shtuar kesaj madje duhet kalkuluar edhe lindja e fëmijëve dhe flijimi për to, ama vetëm ajo, jo dhe ai! Dhe prapë, ata janë që vlejnë se sjellin të mirat materiale në shtëpi (që shpesh s’mjaftojnë as për të lidhur muajin me muajin tjetër), e ajo s’vlen se ajo shkatërrohet tërë ditën, por brenda shtëpisë.

Cilët burra?
Ata që kur të dy kthehen nga puna, ai shtrihet se është i lodhur, e ajo vazhdon turnin e dytë me darkën, pastrimin, detyrat e fëmijëve, fëmijët, përgaditjet për nesër…sikur të mos jetë njeri që lodhet dhe ajo.

Cilët burra?
Ata që në punë drejtojnë vetëm komente seksiste ndaj gjinisë tjetër, një veprim aq i ulët që tregon se sa afër jo-njeriut janë burrat dhe kur komplimenti (pelqyerja) nuk i kthehet sipas pritshmërisë, nis e vjell vrer ndaj asaj.

Cilët burra?
Ata që në punë gruas së zonjë i bëjnë njëqind dredhi të ulëta shpesh edhe kur ajo është shumëfish më e zonja, me ide që vlejnë më shumë, me aftesi të mprehta. Ata që maten kundër “fuqisë” së gruas. – Si njësi matëse po e marrim fuqinë, sepse- Zot sa krenarë janë për këtë! Ndërkohë që s’e matin dot fuqinë e tyre me burrat e tjerë, por me gratë.

Cilët burra?
Ata që kthejnë kokën pas grave të huaja, sepse ajo është më e kuruar. Ndërkohë që gruaja e vet nuk arrin do të kurohet sepse nuk i lejon koha luksin duke u marrë me kurimin e tij përpara vetes së vet.

Cilët burra?
Ata që çirren e shqyhen së bërtituri në kampanja, duke u thirrur në votën edhe të gruas edhe të burrit, duke u thirrur në shanse të barabarta, duke u thirrur në avansim të gruas… për aq sa kanë interes. Dhe ç’ndodh më pas? Gruaja ka pozicione kukulle, ku pozita e saj, le që shumë e zbehtë në vende me peshë dhe vendimarrje, duhet të jetë në vazhdimësi të interesave personale të pikërisht këtyre, burrave “të fuqishëm”.

Cilët burra?
Ata që zgërdhihen si qenie neveritëse, kur një grua degradohet publikisht për çfarëdolloj “faji” që këta të shenjtët ia kanë përcaktuar sipas normave të injorancës së tyre. Ata që harrojnë se kanë gra, vajza, nëna e motra në shtëpitë e tyre, të cilat njëlloj kështu mund të komentohen nga ai grupi tjetër i “burrave” andej.

Dhe ju, këta i quani BUR(R)A??

Ju gra, festoni në qoftëse pajtoheni të ndiheni mirë me veten për 1 ditë “me leje” , ndërkohë që ju mohohen 364 ditë të tjera.

Festofshi e qofshi përgjithmonë, por do festoni më ëmbël, atëher kur do i keni dalë zot vetes tuaj, me gjithë forcën që keni!

Shkruan: Pranvera Kasami