Burri e dogji me benzinë, rrëfehet Melisa Trëndafili: Nuk fle dot, më del imazhi i tij para syve

Melisa Trëndafili, e cila përjetoi tmerrin pak ditë më parë, pasi ish-bashkëshorti i hodhi benzinë në trup, ka treguar versionin e saj të ngjarjes.

Në një intervistë për “Shqipëria Live”, nga ambientet e QSUT, ajo tregoi se dy ditë para ngjarjes kishte biseduar paqësisht me të, në një park lojërash. Ata kishin folur për të pasur komunikim të mirë me njëri-tjetrin për shkak të fëmijëve. Tre ditë më vonë, ai i shkoi te dera e shtëpisë dhe bëri aktin makabër.

Duke qenë se ishte pranë një ndërtese private, 31-vjeçarja ka trokitur në portën e kësaj shtëpie aty ku i ka ardhur në ndihmë një 65-vjeçare e cila menjëherë arriti t’ia hiqte rrobat të resë dhe e kishte mjekuar me mjete rrethanore.

“Jam shumë keq. Po kthehesha nga puna, më gjeti tek rrugica e shtëpisë, ndaloi dhe nuk e pash që kishte benzinë. E kishte futur shishen tek xhepi. E nxori dhe më hodhi çakmakun, ishte fqinja ajo që fiku me ujë zjarrin. Ai erdhi dy ditë më parë, takoi fëmijët, u ulëm në një park lojërash, ishte i qetë. I thash për fëmijët duhet të kemi komunikim. Ditën e dytë nuk folëm më, të tretën pastaj erdhi e bëri.

Po presim të shikojmë si janë plagët. Di vetëm që do të rri gjatë në spital. Plagët i kam tek duart më shumë sepse jam munduar ta fik zjarrin me duar, barkun dhe kofshët. Kam temperaturë dhe më ka nisur ankthi. Nuk fle dot, trembem. Më del imazhi i tij para syve, kam frikë edhe për fëmijët. Kam 10 vite që njihem me të. Ai e ka ndërruar emrin, E ka pasur Bledar Trëndafili dhe tani e ka Elton Trëndafili edhe vjet në nëntor unë po sëmuresha shumë shpesh sepse jetonim në tiranë, kishim punë tonën.

Sëmuresha prej stresit, i flisja për mirë, që shiko se kemi familje, ai nuk po bënte asnjë ndryshim dhe unë u sëmura më shumë dhe aty vendosa të shoh fëmijët dhe veten time. Familjarët e tij kam kontaktuar sepse kam marrëdhënie të mira. Ata më mbështesin, kanë bërë çmos që ai të ndryshonte por nuk e bëri. Gjatë sezonit punonte në Sarandë. Kemi ndërruar shumë shtëpi. Unë nuk kam asgjë. Kur kisha punën këtu në Tiranë, që ma hapën njerëzit e burrit, ai ma shkatërroi. Më ka ndihmuar tashmë familja ime, që nga nëntori. Punoj ku të mundem. Ai më ka lënë shumë keq me sigurimet”, tha ajo.

Prej 31 gushtit Policia e Korçës po punon për kapjen e 45-vjeçarit Bledar Trëndafili, i cili leu me benzinë bashkëshorten e tij, me të cilën është në proces divorci dhe i vendosi zjarrin.

Ndonëse kanë kaluar dditë nga ngjarja makabër blutë e qytetin të Korçës nuk kanë arritur të bien në gjurmët e 45-vjeçarit. Bledar Trëndafili i kishte telefonuar pasditen e së shtunës 31-vjeçares ku dhe i kishte kërkuar që të dilte nga banesa ku jetonte me dy fëmijët për të sqaruar diçka.

Çifti i bashkëshortëve, të cilët kanë nisur dhe procedurat e divorcit, u ulën shumë metra poshtë banesës ku e reja jetonte pas ndarjes nga 45-vjeçari. Bledar Trëndafili menjëherë e spërkati të renë me benzinë dhe më pas i vendosi flakën e u largua me vrap.