“Burdushi” kundërshton aktakuzën për mashtrim dhe pasurim të kundërligjshëm deri në një milion euro

Hysri Peqani i njohur si “Burdushi”, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Durim Osmani ka kundërshtuar, në seancën e shqyrtimit të dytë të mbajtur të mërkurën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të gjitha pikat e aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
PSRK-ja, Peqanin po e ngarkon me veprat penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, “shpërlarje parash” dhe për armëmbajtje pa leje.

Mbrojtësit e Peqanit, avokatët Durim Osmani dhe Feim Alaj në afat ligjor kishin dorëzuar kërkesën për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës, të cilën kërkesë përmes përgjigjes, e kishte kundërshtuar edhe prokurorja speciale Merita Bina-Rugova.Avokati Osmani në seancën e së mërkurës, ka deklaruar se disa prova të propozuara nga ana e PSRK-së ishin prova të papranueshme.
Sipas tij, provat që ishin marrë gjatë procesit të konfiskimit ishin marrë pa pasur kushte për urdhër kontroll në kohën kur ishte nxjerrë aktvendimi për fillim të hetimeve nga ana e PSRK-së, ngase sipas tij, në arsyetimin e raportit për urdhër kontroll theksohet se informacionet e marra nga mediat kishin shërbyer si indicie për urdhër kontroll.

Për këtë arsye, sipas avokatit Osmani, ligji përcakton urdhër kontrolli mund të bëhet pa ndonjë akt të vlefshëm si arratisja e të pandehurit apo vepra penale në flagrancë, por të cilat sipas tij, nuk përkonin me arsyetimin e këtij raporti.
“Të gjitha provat nga ky urdhër kontroll janë të papranueshme, është vendimi për caktimin e ekspertit është provë e papranueshme, sepse nuk kërkohet vetëm të njoftohet mbrojtja për përzgjedhjen e ekspertit, por edhet për vet ekspertizën dhe mundësinë e kundërshtimit të saj”, ka thënë Osmani raporton Betimi për Drejtësi.

Ai ka kundërshtuar si prova të papranueshme edhe dëshminë e dëshmitarëve të cilat sipas tij ishin në kundërshtim të dispozitave ligjore, pasi sipas tij, mbrojtja ishte dashur të ftohej gjatë marrjes së këtyre deklaratave.
Avokati Osmani ka thënë se me asnjë provë të vetme nuk mund të vërtetohet se veprat penale ishte kryer në periudhat e cekura në aktakuzën e PSRK-së.
Po ashtu, në lidhje me veprën penale “shpërlarje e parave”, sipas avokatit Osmani blerja e sendeve të caktuara nuk nënkupton se i mbrojturi i tij ka kryer këtë vepër penale.

Prokurorja speciale Bina -Rugova, ka thënë se deklarimi i avokatit Osmani ishte vetëm përsëritje e pohimeve të shkruara në kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, prandaj sipas saj, ajo edhe i kishte dhënë përgjigjet e saja të cilat i kishte kundërshtuar.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti ka deklaruar se lidhur me kërkesën e mbrojtjes do të merr vendim të shkruar dhe të arsyetuar.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur me 30 tetor 2020, i akuzuari Peqani ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.