Bunkerët e Tetovës! Nuk u përdorën kurrë, shumica tashmë të lënë pas dore

Tetova ka 3 strehimore të mëdha dhe rreth 100 më të vogla që gjenden poshtë banesave, e të cilat që do të shërbenin për mbrojtje në rast se rrezikohet jeta e qytetarëve. Mediat vizituan disa prej tyre. Nuk mirëmbahen siç duhet, por prapë se prapë në rast nevoje në këto bunkerë do të mund të strehoheshin numër i madh i qytetarëve.

Ne gjendemi në një hyrje të një strehimores e cila gjendet në një bllok ndërtesash në qytet, këtu është hyrja dhe ne do futemi brenda për të parë nëse e njëjta është e pastruar.
Kjo strehimore ka kapacitet të madh, por mungon sistemi i ajrimit, tulatet edhe rrjeti i energjisë elektrike. Dyert janë të dëmtuara dhe të ndryshkura, gjë që dëshmon se tashmë gjatë kohë askush nuk është përkujdesur për këto hapësira mbrojtëse.

Ka këtu shumë ujë edhe papastërti të tjera, që do të thotë qytetarët nëse duhet të strehohen në këtë strehimore do ta kenë të vështirë pasi që nuk ka as kushte minimale.
Për strehimoret që gjenden poshtë ndërtesave të banimit, përgjegjës janë këshillat banesore. Vizituam njërën prej tyre, ku kushtet ishin më të mira.

“Gjendemi në një strehimore tjetër në një banesë kolektive këtu në qytetin e Tetovës dhe për dallim nga strehimorja tjetër kjo strehimore është më e vogël, por është e mirëmbajtur”, raporton gazetari, Senat Zylbehari.
Në këtë strehimore përpos sistemit të ajrimit që ishte i rregulluar, kishte edhe makineri për të filtruar ajrin, ndërsa edhe dyert ishin në gjendje të mirë.

Si çdo strehimore tjetër edhe kjo strehimore ka një dalje rezervë apo urgjente dhe nga pamjet mund të shihet se kjo është e mirëmbajtur dhe është funksionale.
Nga komuna e Tetovës thonë se strehimoret janë në kompetencë të Drejtorisë për Mbrojte dhe Shpëtim dhe Këshillat banesorë.

“Sa i përket çështjes së strehimoreve, në territorin e komunës sonë ekzistojnë 3 strehimore të mëdha të cilat i menaxhon Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe ka 100 strehimore tjera në nivel të ndërtesave të banimit për të cilat janë përgjegjës këshilli banesor i të njëjtave”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Një strehimore tjetër të madhe që e vizituam ishte në gjendje edhe më të keqe. Hyrja ishte bllokuar me mbeturina. Këta bunkerë tashmë duket se kanë mbetur vetëm pjesë e historisë, ndërsa vlen të theksohet se nuk janë përdorur asnjëherë që kur janë ndërtuar gjatë sistemit jugosllav./TV21/