Bullgaria përgënjeshtron Bujar Osmanin


MPJ-ja bullgare mohon ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani. Pasi tha se ekziston një propozim-dokument i pranueshëm për Shkupin dhe se është në pritje të përgjigjes nga pala bullgare, nga Sofja thanë se tashmë i janë përgjigjur atij.

“Gjatë takimit në muajin shkurt, pala bullgare i njoftoi përfaqësuesit e RMV-së, se propozimet e tyre ishin të papranueshme dhe se bisedimet do të vazhdojnë”, njoftojnë nga MPJ e Bullgarisë.

Ministria e Jashtme bullgare shtoi se kur të ketë përparim thelbësor në bisedime, ata do të dërgojnë një kundërpropozim për afrimin e qëndrimeve.

Nuk dihet përmbajtja e propozim dokumentit, për të cilin foli Osmani. Opozita dyshon se po tregtohen interesat kombëtare.

“Ne u bëjmë thirrje atyre që ta zbulojnë atë dokument sekret dhe të thonë publikisht se çfarë përmban ai dokument”, tha Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO -DPMNE-së.

E vetmja gjë që zbuloi ministri i Jashtëm është se gjatë kësaj periudhe po diskutohet për hyrjen e bullgarëve në Kushtetutë, përkatësisht nëse kjo kërkesë e Sofjes do të jetë pjesë e kornizës negociuese dhe në cilën fazë të negociatave. Komuniteti bullgar është arsyeja e vizitës së nesërme të kryeministrit Kiril Petkov, në vend.

“Detyra e qeverisë bullgare është të mbështesë komunitetin bullgar në Maqedoni. Besoj se për momentin edhe Qeveria në Republikën e Maqedonisë së Veriut po e kupton se sa prioritet i madh është ky për Bullgarinë, dhe ne po punojmë së bashku për të ngritur prioritetin e këtyre njerëzve në shoqërinë maqedonase”, deklaroi Kiril Petkov – Kryeministër i Bullgarisë.

Petkov do të shoqërohet nga zëvendëspresidentja Iliana Jotova, si dhe ish-ministrja e jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva. Ka qenë Zaharieva ajo që ka akuzuar kryeministrin se ka premtuar se do të japë dritën jeshile për fillimin e negociatave, pa asnjë garanci për respektimin e të drejtave të bullgarëve në Maqedoni.

“Nuk është e vërtetë, nuk kam bërë premtime…tha kryeministri, dhe njëkohësisht kemi informacion shumë të besueshëm dhe të sigurt, që ai ka premtuar në maj ose më së voni në qershor të miratohet korniza negociuese nga Bullgaria”, u shpreh Ekaterina Zaharieva – partia GERB.

Në një bisedë telefonike me presidentin gjerman Frank Shtajnmajer, siç njofton shërbimi për shtyp i presidentit bullgar, Rumen Radev theksoi se pret rezultate konkrete në respektimin e të drejtave të bullgarëve në vend, para se të pajtohet për fillimin e negociatave./Alsat.mk