Bullgaria përditëson kushtet për hyrjen e shtetasve të RMV-së

Ministria për Punë të Jashtme e RMV-së informon se pas komunikimit intensiv mes ministrive të të dyja vendeve, institucionet kompetente të Republikës së Bullgarisë kanë marrë një vendim të ri për hyrjen e shtetasve të RMV-së në Bullgari.
Për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike, Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë në të ashtuquajturën Zona e kuqe, por me vendimin e ri hiqen kufizimet e hyrjes për nevoja jo thelbësore.

“Përkatësisht, me vendimin e fundit të autoriteteve bullgare, i cili do të hyjë në fuqi më 20 janar (e enjte), të gjithë shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut u lejohen hyrja në Bullgari, duke paraqitur një certifikate të vlefshme vaksinimi kundër KOVID 19 ose certifikatë të kalimit të sëmundjes, së bashku me një test negativ PCR jo më të vjetër se 72 orë”.
“Për hyrjen e të miturve nga 12 deri në 18 vjeç, testi PCR negativ është gjithashtu i detyrueshëm”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.