Bullgaria nuk heq veton për Maqedoninë Veriore në Këshillin e BE-së

Deklaratat politike nga Bullgaria, në ditën e fundit të Këshillit për punë të përgjithshme të BE-së, çojnë gjithmonë e më afër përfundimit se nuk do të ketë datë për Maqedoninë e Veriut në dhjetor, si pasojë e vetos bullgare. Kryeministri i sapozgjedhur bullgar Kirill Petkov, pas seancës së parë qeveritare në Sofje, tha se në bisedë telefonike me kryeministrin Zoran Zaev, janë dakorduar për formimin e shpejtë të grupeve të punës të cilat do të thurin një plan veprimi deri në fillim të muajit të ardhshëm.

“Ata do të strukturoren sa më shpejt që është e mundur dhe shpresojmë se në fillim të janarit do të kemi plan të qartë se cilat do të jenë ata grupe. Do të inkuadrojmë më shumë kulturë, infrastrukturë, ekonomi, si plotësim përskaj historisë. Duhet të bëjmë plan veprimi dhe në fillim të janarit këto grupe të kenë rezultate reale, të japin ide që të ecim përpara me negociatat me një plan më operativ”- deklaroi Kirill Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Kryeministri Zaev ka telefonuar Petkovin për t’i uruar zgjedhjen e tij kryeministër. Ai thotë se palët janë marrë vesh për intensifikimin e negociatave.

“Ramë dakord të vazhdojmë të punojmë në gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për zhbllokimin e procedurës për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE dhe për impuls të ri të përforcimit të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, në emër të të ardhmes së përbashkët evropiane.”- pohoi Zoran Zaev.

Ndërkohë, Këshilli për punë të përgjithshme i BE-së vazhdon edhe sot punën deri në orët e mbrëmjes. Konkluzionet pritet të mësohen pasi të përfundojë sesioni i punës. Agjencia e lajmeve MIA, tashmë ka njoftuar për draft versionin jozyrtar të konkluzioneve të Këshillit.

“Këshilli me padurim e pret mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt që është e mundur këtë vit sapo të miratohet korniza negociuese nga ana e Këshillit.”

Sllovenia, që kryeson me presidencës e BE-së deri në fund të dhjetorit, konfirmoi se zgjerimi është pjesë e draft-konkluzioneve të këtij takimi por nuk dihet nëse vendet anëtare do të bien dakord për to.

“Zgjerimi dhe stabilizim-asocimi poashtu do të jenë pjesë e debatit sot. Ne kemi draft konkluzionet në tavolinë dhe do të shohim se çfarë mund të arrijmë. Le të shpresojmë për më të mirën. Përfundimisht do të ishte një sinjal i mirë nëse do të arrinim një marrëveshje.”- tha Gashper Dovzhan, sekretar shtetëror në Ministrinë e Jashtme të Sllovenisë.
Shefat e vendeve anëtare do të takohen në datat 16 dhe 17 dhjetor në Samitin e BE-së.