Bullgaria 6 muaj do t’i dërgojë rrymë elektrike Maqedonisë

Bullgaria nga fillimi i tetorit deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm do të dërgojë 200 megavat orë energji elektrike për të zbutur krizën energjetike në Maqedoninë e Veriut, duke siguruar furnizim të pandërprerë të industrisë me energji elektrike, që është një nga kërkesat kyçe të sektorit të biznesit në vend, është dakorduar pas takimit të djeshëm në Sofje të kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kolegut të tij bullgar Galab Donev.

Dy kryeministrat ranë dakord për formimin e një grupi punues i cili duhet t’i përcaktojë aspektet teknike në lidhje me nënshkrimin dhe përfundimin e marrëveshjes në fushën e energjisë elektrike për furnizimin e sasive deri në 200 megavat/orë energji elektrike për nevojat e Maqedonisë së Veriut, përfundimisht me marsin e vitit të ardhshëm.

“Si politikanë dhe qeveri të përgjegjshme ne kemi detyrim ndaj qytetarëve dhe ndaj ekonomisë të sigurojmë gjithçka që është në mundësinë tonë që t’i bëjmë kushtet më të mira, në kohë të krizës së këtillë. Pikërisht për këtë jemi sot këtu së bashku me Bullgarinë fqinje që të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për furnizim me energji elektrike gjatë tremujorit të katërt të këtij viti dhe tremujorit të parë të vitit të ardhshëm, në kushte që do të jenë optimale për ekonominë”, tha kryeministri. Kovaçevski në konferencën e përbashkët për shtyp në Sofje me kolegun Donev.