Buka, si dallohet mashtrimi


Avni Nela është prodhues buke në Tiranë. Ai prodhon bukën e zezë dhe integrale për disa dyqane buke në kryeqytet. Avniu na tregon përbërjen e bukës së zezë:

“Miellin e zi e marrim bashkë majanë, kripë edhe do të bëjmë bukë. Këto të tre elementë do vetëm buka e zezë. Buka e zezë, e cila është me miell të zi. Brumi është gati. Ky është një brumë me miell të zi pa asnjë ndërhyrje, siç del nga mulliri”, tregon Avniu.

Edhe të bukës integrale: “Kemi marrë miellin e zi, kemi marrë bashkë majanë. Do marrim integralet, farat e susamit, farat e linit dhe farat e lulediellit”, tregon prodhuesi i bukës.

Buka e prodhuar nga këto përbërës nuk ka asnjë ngjyrues shtesë. Ngjyra e errët e bukës vjen nga mielli. Avniu tregon se si edhe një konsumator i thjeshtë mund të dallojë bukën e vërtetë e të mos mashtrohet nga prodhuesit që përdorin ngjyrues.

“Është më se e thjeshtë për të dalluar një bukë e cila është e bërë me miell të zi. Puna e parë shohim copëzat e himes që janë mbi sipërfaqen e bukës, ngjyra është shumë kafe. Po ta marrim dhe po ta presim bukën në strukturën e brendshme kjo bukë ka edhe farat edhe copëzat e himes. Po të marrim bukën masive edhe nga pamja e jashtme nëse e shohim këto ciklat e sipërme janë pjese e himes ku rri proteina”, thotë Avniu.

Eksperimenti me ujin që ngjyrosej nga bukët e prodhuar me bojë, faktoi një mashtrim që ndodh rëndom nga shumë prodhues të bukës. Top Channel solli edhe dëshmitë e mjekëve që tregonin dëmet që shkaktohen nga buka e ngjyrosur.