Bujqit kanë leje për të punuar tokat gjatë orës policore!

Bujqit mund të marrin leje për të punuar tokat e tyre. Kështu theksoi mbrëmë në emisionin EU Click sekretari shtetëror nga ministria e Bujqësisë Nefrus Çeliku. Ai gjithashtu tha se kanë miratuar dekrete për lëvizje të lirë të çdo fermeri.

“Për atë edhe ne si Ministri e Bujqësisë në bashkëpunime me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë se Veriut nuk guxojmë të ndërpresim zinxhirin e prodhimit dhe përpunimit, importin dhe eksportin e mallrave. Kështu që ne kemi miratuar dekrete për lëvizjen dhe qarkullimin të çdo fermeri apo çdo bujku apo çdo blegtori që ka nevojë për të punuar në fushën apo tokën apo në fermën e tij”, deklaroi Nefrus Çeliku nga Ministria e Bujqësisë.

Ndërsa për lejet e qarkullimit dje u ankuan bujqit e Tetovës. Arifi Ismaili nga Tetova thotë se për aq ditë sa do të vlejë ora policore, do të duhet i vetëm të punojë dhe të mbjellë, pasi që nga Ministria e Bujqësisë ka arritur të sigurojë leje vetëm për vete, gjë që e vështirëson punën e tij.

“Me lejet e qarkullimit kemi problem se na japin vetëm për një person, na japin një leje vetëm, ndërsa punët në fushë nuk mund ti bëjë vetëm një person, duhet të jenë dy tre vetë që të bëhen punët në fushë”, tha Arif Ismaili – Bujk.

Por sa do të jetë efikase ora policore?

Muhamed Hoxha zëdhënës i Qeverisë tha se izolimi është masa më e suksesshme në luftën kundër Covid 19.

“Izolimi është njëra nga masat më të suksesshme sipas epidemiologëve për të mbrojtur nga kjo pandemi që ka kapluar vendin tonë”, tha Muhamed Hoxha – zëdhënës i Qeverisë.

Në emisionin e mbrëmshëm Eu Click, zëvëndës ministri i shëndetësisë Armend Arsllani theksoi se BE dhuroi 4 milion euro, ndërsa SHBA përmes USAID ndihmoi Maqedoninë me 1.1 milion dollarë për tu përballur me Covid-19.
Nga ana tjetër Drejtori i Higjienës komunale Abdulsamet Shabani apeloi për qytetarët që kur të mbarojë ora policore të kenë kujdes me hedhjen e mbeturinave.