Bujqit ankohen për çmimin e ulët të grurit: Nuk mbulohen as harxhimet

Korrja e grurit është thuajse në gjysmë ndërsa çmimi blerës ende nuk është përcaktuar. Bujqit thonë se kjo korrje do të jetë dëshpëruese. Për çmimin e blerë të paralajmëruar nga mullisët që mund të sillet prej 9 deri 10 denarë për 1 kilogram, thonë se nuk do të mund t’i mbulojnë as harxhimet elementare. Javën e kaluar kanë pasur disa takime me ministrinë përkatëse dhe mullisët, por pa marrëveshje.

Për këtë vit, sipas matematikës tonë si bujq, çmimi prodhues është rreth 12 denarë, çmimi prodhues vitin e kaluar i llogaritur nga Ministria e Bujqësisë ishte mesatarisht 10,30 kurse gruri shitej prej 9 deri 10 denarë, që ne nuk e mbulojmë çmimin prodhues -deklaroi Stevançe Jordanoski- federata e fermerëve.

Që të arrihet deri në rritjen e çmimit dhe plasimin e garantuar, bujqit kërkojnë që shteti të blejë rreth 40 mijë tonelata për rezervat e mallrave, edhe atë në fillim të verës. Por, nga Ministria e Bujqësisë shprehen se korrja zhvillohet sipas planit, pa u përgjigjur konkretisht nëse ka probleme në terren.
Gruri është mbjellë në sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 78.000 hektarë dhe me gjendjen nga 12 korriku, janë korrur rreth 35% nga sipërfaqja e përgjithshme -njoftojnë nga Ministria e Bujqësisë.

Për nevojat e vendit në nivel vjetor nevojiten rreth 300 mijë tonelata grurë. Pjesën më të madhe Maqedonia e Veriut përmbush nga prodhimtaria vendore. Por, të dhënat e Federatës së fermerëve tregojnë se në 19 vitet e fundit, prodhimtaria e grurit është ulur për 20%. Sipas tyre, shkak për këtë është sistemi i pa- organizuar dhe çmimi i ulët blerës, që e zbeh interesin për prodhimtari.