Bujar Osmani:Kush ka punësuar dikend me nepotizëm nga BDI-ja, patjetër se do të mbaj përgjegjësi !

Absolutisht se do të kërkojmë përgjegjësi nga funksionarët për të cilët Komisioni Antikorrupsion do të vërtetojë se e kanë keqpërdorur pozitën duke i punësuar të afërmit e tyre. Nuk duhet të pengohemi në gur të vogël pikërisht tani kur jemi para dyerve të Bashkimit Evropian, deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani. Ai tha se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e paanshme dhe joselektive dhe se në këtë pjesë Komisioni gëzon mbështetje të madhe. Komisioni Antikorrupsion tashmë ka hapur shumë lëndë për nepotizëm të funksionarëve të BDI-së dhe deri më tani askush nuk i ka tërhequr familjarët e tij nga vendet e punës, e as nuk është kërkuar përgjegjësi prej tyre.

‘’Lufta kundër korrupsionit është joselektive, nuk njeh funksionarë të një apo partie tjetër. Nuk duhet lejuar të ketë gabime në këtë rrugë. Investuam shumë për gurë të vegjël dhe rrugën na e pengojnë gjërat e vogla. Nëse Antikorrupsioni sjell vendim se ka elemente të keqpërdorimit të funksionit për shkak të nepotizmit, korrupsionit apo qëllimeve të tjera, absolutisht se do të kërkojmë përgjegjësi’’, theksoi Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani.
Kryetarja e Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska, tha se aktualisht kanë shumë lëndë, prandaj siç tha, së pari do të kërkojnë që inspektorët t’i kontrollojnë punësimet. Ajo shtoi se ende nuk i kanë marrë lëndët e hapura dhe lëndët për të cilat kërkuan dokumentacion shtesë. Afati, siç thotë, është deri në fund të javës, por nëse deri atëherë nuk i marrin, do të ngrenë padi për kundërvajtje ndaj personave përgjegjës.

‘’Planifikojmë që në të ardhmen të realizojmë takime me inspektorët dhe të kërkojmë t’i kontrollojnë punësimet, respektivisht ta kryejnë punën e tyre që e kanë në përputhje me ligjin. Mendoj se të gjitha institucionet duhet të vendosen në funksion’’, u shpreh Kryetarja e Komisionit Antikorrupsion Biljana Ivanovska.

Ndryshe, zëvendëskryeministri Osmani, e vizitoi Komisionin për parandalim të korrupsionit në kuadër të vizitave institucionale, lidhur me zbatimin e reformave që rrjedhin nga Plani 18, e të cilat do të kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi Raportin pozitiv të Komisionit Evropian, e me këtë edhe mbi fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.