Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në një konferencë për shtyp ka bërë të ditur se nevojiten së paku 50 punësime të reja për plotësimin e nevojave në ministrinë përkatëse. Osmani informoi se vetëm këtë vit në Ministrinë e Punëve të Jashtme po pensionohen 18 persona dhe shtoi se duhet të punësohen persona të rinj.
Në pyetjen e një gazetari për punësimin e Besmira Ejupit në MPJ, Osmani theksoi se gjatë këtij viti, Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive ka punësuar gjithsej 13 bashkëpunëtorë, përfshirë edhe Ejupin. Disa prej tyre, siç tha ai, janë në kuadër të atij sistematizimi nga Programi K-5, disa përmes marrëveshjes direkte.
“Informacioni është pjesërisht i saktë, është marrë nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive në pozicionin e bashkëpunëtorit protokollar, që është një pozicion fillestar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Aktualisht kemi shpallje për 16 bashkëpunëtorë të rinj, i cili është në vazhdim e sipër”, tha Osmani dhe shtoi se të gjithë ata që duan të punojnë në diplomaci në pozita fillestare kanë mundësi të aplikojnë.
Osmani theksoi se është i pasaktë informacioni se Ejupi është këshilltare, sepse duhen 10 deri në 15 vite në ministrinë përkatëse, me shumë provime të dhëna dhe përvojë pune, për të kaluar nga bashkëpunëtor i ri në këshilltar. Osmani nuk sheh asgjë të diskutueshme në këtë proces.
Në pyetjen e një gazetari se a do të referojë për Ejupin para Komisionit kuvendor për punë të jashtme dhe se këtë e ka kërkuar kryetari i këtij komisioni Antonio Milloshoski, Osmani ka thënë se në këtë punësim nuk ka asgjë të diskutueshme dhe se është bërë plotësisht në procedurë ligjore, siç janë transferuar edhe të gjithë të tjerët, gjithsej 16 këtë vit në MPJ. Ai theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme është e hapur për të gjithë qytetarët e vendit dhe mund të aplikojnë për vende pune, në disa pozita me arsim të mesëm, e në të tjera me arsim të lartë.
Osmani theksoi se Ejupi nuk është as konsull, as kandidat për konsull, por bashkëpunëtore e re ose në pozitë fillestare në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Në pyetjen e një gazetari nëse Sead Sadikovski, zëvendësdrejtor aktual i Agjencisë për Rezerva Mallrash, është emëruar konsull i përgjithshëm në Toronto në një seancë të mbyllur të Qeverisë, Osmani tha: “Sapo keni thënë seancë të mbyllur, kjo do të thotë se nuk mund të komentoj”. Ai shtoi se kërkohet një marrëveshje për ambasadorët, si dhe kërkohet një ekzekuatur nga vendi nikoqir për konsujt. Ai bëri të ditur se derisa të merret një ekzekuat për kandidatin nuk mund të publikohet emri sepse ekziston rreziku i refuzimit etj. Ai nuk ka dashur të komentojë emrat dhe arsimimin e tyre dhe ka bërë të ditur se qytetarët do të njoftohen me kohë.
Ministri Osmani në konferencën për shtyp në Ministrinë e Punëve të Jashtme tha se me ligj ka të drejtë që t’i ketë tre këshilltarë të posaçëm dhe vetëm një pozitë është plotësuar të tjerat janë bosh. Osmani ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme ka të punësuar me kontratë aq sa lejon Ministria e Financave.