Bujar Osmani i kundërpërgjigjet Zoran Zaevit për Kryeministrin shqiptar

Lideri i BDI-së në 18 vjetorin e themelimit të partisë kërkoi postin e kryeministrit shqiptar, i menjëhershëm ka qenë reagimi LSDM-së së Zoran Zaevit

“Nëse LSDM fiton zgjedhjet, unë jam kandidat për kryeministër i Qeverisë, dhe do të jem kryeministër i cili do të luftojë njëlloj për jetën e të gjithë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, diçka që e dëshmova viteve të fundit.
Nëse BDI ka kushte tjera për koalicionim në Qeveri, atëherë BDI nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme”, është përgjigjur Zaev ndaj Ahmetit.

Pas reagimit të Zoran Zavit për kryeministrin shqiptarë, i është kundërpërgjigjur zv/kryministri Bujar Osmani duke thënë se e drejta për të pasur mundësi të barabarta në vendin tonë të përbashkët është e pamohueshme – kjo përfshin edhe pozicionin e kryeministrit.

“E drejta për të pasur mundësi të barabarta në vendin tonë të përbashkët është e pamohueshme – kjo përfshin edhe pozicionin e kryeministrit. Koha e monopolit etnik mbi këtë pozicion ka kaluar. Tani është koha për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut – tani është koha për barazi të plotë. Shqiptarët po ndiejnë vrullin dhe po mobilizohen rreth kësaj ideje, e cila është më e madhe se çdo parti apo person. Së bashku do ta bëjmë – e ftojmë çdo shqiptar të jetë pjesë e këtij momenti historik” i është përgjigjur Osmani ish kryeministrit dhe liderit të LSDM-së Zoran Zaev.

Ndryshe Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në 18 vjetorin e themelimit të partisë, përmes një statusi në Facebook ka kërkuar që në këtë përvjetor të përcaktohet qëllimi i radhës për zgjedhjet që pasojnë, e që është Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

“Ne e nisëm bashkë këtë rrugëtim para 18 viteve, Bashkë u përballuam me çdo sfidë dhe i besuam njëri tjetrit, Bashkë i përcaktuam dhe i realizuam synimet tona dhe në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm për të gjithë ne, le ta përcaktojmë bashkërisht edhe qëllimin tonë të radhës që në zgjedhjet që pasojnë, të realizojmë synimin për të zgjedhur një personalitet të vlerësuar, të dëshmuar dhe të pranueshëm të cilin ose të cilën do ta përzgjedhim bashkërisht për KRYEMINISTRIN E PARË SHQIPTAR!!!” ka shkruar Ahmeti, duket shtuar se BDI në çdo përvjetor përcakton synime ambicioze dhe me kohë, që edhe i realizon. /TS