Bujar Osmani: “BE-ja ta përshpejtojë zgjerimin në interes të stabilitetit tonë të përbashkët”

Kriza në Ukrainë ka treguar se zgjerimi i BE-së është në radhë të parë një politikë e sigurisë dhe prandaj BE-ja duhet të jetë proaktive në Ballkanin Perëndimor, të përshpejtojë zgjerimin e saj në interes të stabilitetit tonë të përbashkët dhe të mbyllë vakumin e ndërhyrjes, porositi përfundoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në takimin e jashtëzakonshëm të Këshillit Veriatlantik, që në nivel të shefave të diplomacive u mbajt në Bruksel.

“Sot kemi dërguar një mesazh të fortë për unitetin e Aleancës dhe angazhimin e përbashkët për ruajtjen e sigurisë euroatlantike. Ne jemi të bashkuar në dënimin e agresionit ushtarak rus dhe mesazhin për një ndërprerje të menjëhershme të veprimeve ushtarake, të cilat shkaktojnë humbje jetëve njerëzore dhe kanë pasoja të mëdha për ekonominë, paqen dhe prosperitetin e mbarë botës. Ne jemi të vendosur në mbështetjen tonë për Ukrainën dhe në solidaritet me popullin ukrainas, guximi dhe vendosmëria e të cilit për të gjetur një zgjidhje paqësore është e denjë për respekt”, theksoi Osmani.

Siç bëri të ditur MPJ, në fjalën e tij, Osmani informoi për sanksionet e vendosura dhe masat kufizuese të cilave u është bashkuar vendi si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus. Në të njëjtën kohë, ai theksoi ndihmën e dhënë për Ukrainën, si një shprehje shtesë e solidaritetit me qytetarët ukrainas.

Gjithashtu, ministri Osmani nënvizoi rëndësinë e përshpejtimit të proceseve integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është veçanërisht e rëndësishme për stabilitetin rajonal. Qasja e konsoliduar e NATO-s dhe BE-së është mjeti më i mirë për tejkalimin e sfidave të sigurisë dhe ruajtjen e proceseve demokratike në rajonin tonë.

Siç bëhet e ditur në kumtesë, takimi iu përkushtua situatës së sigurisë në Ukrainë, duke dënuar ashpër sulmin e paprovokuar ushtarak nga Rusia. “Hapi i tillë i pajustifikuar është një akt i drejtpërdrejtë agresioni, një shkelje e fortë e së drejtës ndërkombëtare, si dhe një goditje e rëndë ndaj parimeve demokratike mbi të cilat bazohet rendi botëror i sigurisë. Në këtë drejtim, Ministrat e Jashtëm shprehën mbështetje të fortë për pavarësinë politike, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht”, shtohet në kumtesën e MPJ-së.