Brukseli përshëndet rezultatin në Kuvend

Charles Michel, Ursula von der Leyen, Oliver Varhey përshëndetën votimin e sotëm në parlament dhe unanimisht deklaruan se me të u shënua rruga evropiane e vendit.
Vetëm dhjetë minuta pasi 68 deputetë u deklaruan “pro” konkluzioneve për propozimin francez, mbërritën mesazhet nga kreu i Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian.

“Votimi i sotëm në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut hap rrugën për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare javën e ardhshme. Ky është një hap thelbësor për vendin dhe për BE-në. E ardhmja jonë është e përbashkët dhe ju presim krahëhapur”, shkroi në Twitter Charles Michel, kryetar i Këshillit Evropian.
Me një mesazh të ngjashëm ka dalë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Urime Maqedonisë së Veriut për votimin, i cili mundëson kushtet për një hapje të shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Kjo ishte një mundësi historike dhe ju e shfrytëzuat atë”, ka shkruar von der Leyen.

Komisioneri Evropian për zgjerim, tha se tashmë të martën pritet mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare.