Brnabiq: Është e vështirë të flasësh me Kurtin

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka qenë asnjëherë më i vështirë sesa tani. Ajo thotë se është e pamundur të flitet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se “ka fanatikë ideologjikë në Prishtinë që nuk duan të flasin”. Bërnabiq tha se procesi i dialogut tani është i vështirë pasi sipas saj njerëzit nga Kosova të cilët janë duke negociuar nuk janë të interesuar për projekte rajonale, por vetëm dërgojnë mesazhe që Serbia duhet të gjunjëzohet dhe se është çështje ditësh kur Serbia do të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Ata nuk dëshirojnë të flasin për ndonjë gjë tjetër. Është një situatë jashtëzakonisht shumë e vështirë, por ne duhet të qëndrojmë në dialog”, ka thënë Brnabiq për mediat serbe. Kryeministrja serbe po ashtu ka thënë se shumë gjëra dhe marrëveshje që janë arritur në samite që janë organizuar për Ballkanin Perëndimor nuk kanë filluar të realizohen si pasojë e pengesave nga politikanët e Prishtinës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në të gjitha paraqitjet ka thënë se ardhmja e dy vendeve bazohet në njohjen reciproke apo se nuk mund të ketë asnjë marrëveshje me Serbinë pa pranuar ajo pavarësinë e Kosovës.