Britanikja pranoi islamin pas një udhëtimi në Turqi

E ndikuar nga ambienti i Xhamisë Sulltan Ahmet në Stamboll, që njihet edhe si Xhamia e Kaltër, gjatë një turneu në Turqi dy vjet më parë, 24-vjeçarja Aisha Rosalie nga Britania filloi kërkimet e saj rreth islamit dhe më vonë ia kushtoi jetën e saj promovimit të besimit islam.

Rosalie për Anadolu rrëfeu historinë e jetës së saj, nga të qenit një person që jetoi me ëndrrën për t’u bërë aktore deri në momentin kur zbuloi islamin në Stamboll.
“Para se të bëhesha muslimane, nuk kisha ndonjë fe. Besoja se ekzistonte një Zot. Më kujtohet si fëmijë kam biseduar gjithmonë me Zotin”, tha ajo.

Rosalie tha se prindërit e saj “nuk ishin fetarë”, duke shtuar se ajo kurrë nuk kishte njohur ndonjë person fetar para se të kalonte në Islam.
“Kur erdha në Turqi, nuk kisha qëllim të gjeja fenë. Shkova në Google dhe gjeta se ata kanë një Xhami të Kaltër dhe mendova se mbase mund ta shikoj”, tha ajo.

Rosalie tha se ishte “me të vërtetë e frikësuar” sepse ajo ” nuk kishte një mendim të mirë” për muslimanët, pasi të gjitha informacionet e saj vinin nga mediat perëndimore.
“Ky ishte mendimi i vetëm për islamin që kisha”, shtoi ajo.

Gjetja e paqes
Para se të vizitonte xhaminë, ajo shkoi në një dyqan lokal dhe bleu një shami, pasi “donte të sillej me respekt”.
“Unë nuk doja të ofendoja askënd duke i pasur flokët e zbuluara. Mendova se njerëzit do të ishin të zemëruar me mua. Kështu që bleva një shami vetëm për të vizituar xhaminë”, tha ajo.
Ajo tha se hasi në materiale fetare mbi islamin, por në atë kohë nuk e dinte se çfarë kuptimi kishte materiali.
“Madje nuk dija ta shqiptoja”, shtoi ajo.

Rosalie thotë se sapo ka hyrë në Xhaminë Sulltan Ahmet, ka marrë tespihe dhe ka filluar të lexojë disa lutje.
“Për rreth 1 orë thjesht qëndrova ulur duke bërë tespihe. Unë thjesht po shikoja përreth xhaminë. Ishte kaq e bukur dhe kaq e qetë, thjesht nuk mund ta besoja. Dhe po shikoja njerëzit që luteshin në hapësirën para meje. Isha aq shumë e mbingarkuar nga bukuria dhe paqja brenda xhamisë. Askush nuk po më bërtiste, askush nuk sillej keq me mua, isha aq e tronditur”, tha ajo.

Më pas, Rosalie thotë se ka kërkuar kopje të Kur’anit të shenjtë pasi u largua nga xhamia gjatë rrugës për në hotel.
“Dhe mendova me vete mbase do të marr një kopje dhe do ta lexoj”, tha ajo, duke shtuar se bleu një përkthim në anglisht të Kur’anit dhe filloi ta lexonte atë në dhomën e saj të hotelit.
Më tej, Rosalie thotë se ajo vazhdoi të lexonte Kur’anin edhe pasi u kthye në Mbretërinë e Bashkuar derisa mbaroi të gjithë librin.
“M’u deshën disa muaj dhe gjatë asaj kohe unë bëra shumë hulumtime për islam, si dhe shikova shumë ligjërata. Dhe pas dy muajsh unë deklarova shahadetin dhe u bëra muslimane. Elhamdulillah, ky ishte udhëtimi im”, thotë ajo.

“Gjithçka ndryshoi në jetë”
“Gjithçka ndryshoi në jetën time”, theksoi ajo.

Duke vënë në dukje se familja “ishte shumë e pasigurt” në lidhje me vendimin e saj për të pranuar islamin, Rosalie tha se nëna e saj shfletonte në internet duke kërkuar informacione për muslimanët dhe i ndante me të.
“Kjo më detyroi të mësoja më shumë për ta bërë atë të kuptojë bukurinë, paqen, gjithçka që qëndron pas islamit”, tha ajo.

Rosalie theksoi se ajo mendon se karakteri personal është “forma më e mirë” e thirrjes në Islam.
“Është mënyra më e mirë për t’i sjellë njerëzit drejt fesë. Për shkak se mendoj se përmes karakterit tim e ndihmova atë të kuptojë bukurinë e islamit. Kam biseduar me të më shumë, jam përpjekur të jem më bujare me të, sepse në fenë tonë kjo është e rëndësishme”, tha Rosalie.
“Ne kemi prindër. Ne duhet të kujdesemi për ta, duhet të jemi mirë me ta”, shtoi ajo.
“Ndihesha sikur kam lindur përsëri”

Rosalie theksoi se ardhja në Turqi ishte “një nga arsyet kryesore” pse u bë muslimane.
“Kjo është për shkak se pashë muslimanë të mirë, njerëz me karakter të mirë. Ata më bënë të mendoj: ‘Unë dua të jem si ai person’. Më bëri më të mirë. Më bëri më të lumtur. Ndihesha sikur kam lindur përsëri. Doja një fillim të ri. Doja të braktisja mëkatet e mia”, tha ajo.

Duke folur për jetën e saj para se të pranonte islamin, Rosalie tha se ajo kishte trajnuar për t’u bërë aktore.
Duke theksuar se kjo ishte “ëndrra” e saj për kohën më të gjatë, Rosalie tha se filloi të aktronte kur ishte 14 vjeç.
“Kështu që, unë kam aktruar për një kohë dhe jam trajnuar në Los Angeles, kam jetuar në Amerikë. Kjo ishte i gjithë stili im i jetës, kjo ishte ëndrra ime për vite me radhë. Kam bërë disa skenarë, si dhe kam bërë edhe një regji gjithashtu”, shtoi ajo.

Pasi pranoi islamin, ajo e la atë ëndërr për t’u marrë me kanalin e saj në YouTube ku poston përmbajtje islame.
“Dua t’u ndihmoj njerëzve të vijnë më shumë drejt fesë. Dhe unë postoj shumë histori të pranimit të islamit gjithashtu. Pra, promovimi i gjërave që do të ndihmojnë njerëzit në fenë e tyre është qëllimi im”, tha ajo.

Duke folur në Sheshin Sulltan Ahmet në Stamboll, ajo tha: “Mua absolutisht më vjen mirë të jem këtu. Është vendi ku zbulova islamin. Ishte vendi i parë musliman në të cilin kam shkuar ndonjëherë”.
“Unë u ktheva këtu për një arsye. U ktheva me burrin tim dhe doja t’i tregoja vendet e mahnitshme në Stamboll, në Turqi. Dhe njerëzit këtu janë kaq të pabesueshëm. Është kaq e bukur këtu, është kaq e mahnitshme”, përfundoi ajo.