Britania e Madhe regjistron 757 të vdekur nga koronavirusi për 24 orë

Gjatë 24 orëve të kaluara, 757 persona kanë vdekur nga koronavirusi në Britaninë e Madhe. Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave në këtë shtet shkoi në 18,174.

Ndonëse shifra e re ishte më e ulët se 828 viktimat e shënuara dje, ajo është shumë më e lartë se numrat e konfirmuar gjatë ditëve të mëhershme.

Anglia i raportoi 665 të vdekur, Skocia 77, ndërsa Uellsi 15 viktima të reja. Irlanda Veriore ende nuk i ka publikuar të dhënat për 24 orët e fundit, shkruan “Metro UK”, transmeton Gazeta Express.

Britania është në mesin e vendeve më të prekura nga koronavirusi në Evropë, bashkë me Italinë, Spanjën, Francën dhe Gjermaninë.

Në këtë vend janë duke u përgatitur dy testime në njerëz të vaksinave të mundshme kundër koronavirusit, ndërsa institucionet relevante kanë filluar të kërkojnë vullnetarë për të marrë pjesë në studim.

Njëri nga testimet do të fillojë të enjten, njoftuan shkencëtarët britanikë, të cilët kanë thënë se janë optimistë për gjetjen e një vaksine të efektshme.