Brenda shkollës sekrete për vajzat në Kabul

Dhjetëra vajza afgane flasin nën zë teksa futen brenda një shtëpie në kryeqytetin afgan, Kabul. Për muaj të tërë, kjo shtëpi ka shërbyer si një shkollë sekrete, ku rreth 50 vajza kanë ndjekur mësime për shkencë, letërsi dhe matematikë. Ato janë në mesin e miliona vajzave që u është ndaluar arsimimi që prej se talibanët morën me forcë kontrollin e Afganistanit gjatë muajit gusht.

Që prej atëherë, ky grup militant islamik ka lejuar vetëm vajzat nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë që të shkojnë në shkollë. Por, arsimimi i mesëm i vajzave është kufizuar dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre mund të ndjekin mësimet në 34 provincat e vendit. Duke sfiduar këtë ndalesë të vendosur në Kabul, Mursal, që ka diplomë universitare, hapi shtëpinë e saj për dhjetëra nxënëse, të cilat kishin qenë të mbyllura në shtëpitë e tyre për muaj të tërë.

“Qëllimi i hapjes së kësaj shkolle është që të ndihmojmë vajzat që të mos mbesin prapa me mësime pasi edukimi i tyre u ndalua pasi [talibanët] morën pushtetin”, tha Mursal për Radion Evropa e Lirë. Ajo kërkoi që emri i saj i vërtetë të mos përdoret për shkaqe sigurie.

Mursal, që është në të 20-tat, e drejton vetë këtë shkollë dhe paguan të gjitha shpenzimet, përfshirë edhe mjetet shkollore për nxënëset e saj. Suraya, që është një nga nxënëset e Mursalës, tha se rikthimi i sundimit taliban për të është si dënim me burgim të përjetshëm.

“Shumë vajza janë të pashpresa dhe po vuajnë nga depresioni dhe stresi”, tha Suraya. “Kjo shkollë na ka ndihmuar shumë”, shtoi ajo.
“Kërkesa ime për talibanët është që të rihapin shkollat në mënyrë që vajzat të mos mbesin analfabete dhe pa të ardhme”, tha Gul Meena, një vajzë në klasën e 11-të, që ndjekë mësimet në këtë shkollë sekrete.

“Arsimimi është i detyrueshëm për të gjithë myslimanët, si për burra, ashtu edhe për gra”, shtoi ajo, duke iu referuar parimeve islamike, sipas të cilave, edukimi konsiderohet si një detyrë fetare për meshkujt dhe femrat.
Talibanët pretendojnë se ndalimi i arsimimit të mesëm për vajzat është i përkohshëm, derisa regjimi i ri të arrijë që të sigurojë “ambient të sigurt” për të gjitha vajzat që shkojnë në shkollë.

Kritikët theksojnë se militantët kishin bërë premtime të ngjashme edhe gjatë sundimit të tyre të parë të Afganistanit në vitet 1996-2001. Por, gjatë kësaj periudhe ata asnjëherë nuk e kishin hequr ndalimin për arsimimin e vajzave. Miliona vajza, veçanërisht në zonat urbane, u rikthyen në shkollë menjëherë pas pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara më 2001, që rrëzoi nga pushteti regjimin taliban. Nazar Mohammad Irfan, zëdhënës i Ministrisë talibane të Edukimit, i tha Radios Azadi të Radios Evropa e Lirë se grupi i linjës së ashpër nuk është kundër shkollave private apo shkollave joformale për vajzat.

“Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me ta sa më shumë që të mundemi në mënyrë që të rrisim nivelin e shkrim-leximit dhe edukimit në mbarë vendin dhe të kapërcejmë mangësitë tona”, tha Irfan. Por, jo të gjithë janë të bindur me këtë qëndrim të shprehur nga talibanët.
“Mendoj se është shumë e qartë se të gjitha arsyet që po dalin në pah janë vetëm mënyra për të tentuar që të fshihet fakti se, në thelb, ata [talibanët] nuk duan që vajzat të shkojnë në shkollë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Heather Barr, drejtoreshë e të drejtave të njeriut në organizatën Human Rights Watch.

Ajo tha se qëllimi i vërtetë i kësaj vonese të talibanëve për heqjen e ndalimit për arsimim duket se është ndarja gjinore – diçka për të cilën talibanët kanë bërë përpjekje të mëdha që të zbatohet në universitete dhe në zyra qeveritare.

“Shkollat e mesme qeveritare tashmë janë ndarë në bazë të gjinisë, kështu që është shumë e vështirë të dihet se çfarë duan të bëjnë ata”, shtoi ajo. Barr tha se shumica e shkollave janë rihapur në tetë prej 34 provincave të Afganistanit. Në shumë raste, shkollat janë rihapur pas negociatave ndërmjet mësuesve lokalë dhe zyrtarëve lokalë talibanë. Shkollat private, që shpesh drejtohen nga organizata joqeveritare, në teori, lejohen që të punojnë. Por, shumë prej tyre janë mbyllur për shkak të krizës ekonomike dhe humanitare që ka goditur vendin.

“Politikat që talibanët tashmë po zbatojnë janë aq të dëmshme për gratë dhe vajzat dhe mund të bëhen edhe më të këqija, më të ngurta dhe të zbatohen më dhunshëm”, paralajmëroi Barr. Që prej se rimorën pushtetin, talibanët kanë rivendosur disa prej ligjeve të njëjta represive, që kishin qenë në fuqi edhe gjatë sundimit të tyre të mëparshëm brutal, kur ishte ndaluar që vajzat të shkonin në shkollë dhe gratë të punonin jashtë shtëpive të tyre.

Në shtator, talibanët formuan një qeveri, që përbëhet vetëm nga burrat dhe në të janë të përfshirë vetëm militantët e lartë. Militantët po ashtu kanë vendosur që ta heqin Ministrinë për Çështjen e Grave dhe kanë rithemeluar Ministrinë për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve. Talibanët kanë këshilluar gratë që të qëndrojnë brenda për shkak të sigurisë së tyre. Militantët po ashtu kanë urdhëruar dhjetëra mijëra ish-punëtore qeveritare që të mos kthehen në punën e tyre, pavarësisht se kolegët e tyre meshkuj u lejuan që të riktheheshin në punë. Neda, një prej nxënësve të Mursalës, që vijon mësimin në shkollën sekrete në Kabul, tha se e ardhmja e vajzave dhe grave nën sundimin taliban, rëndon shumë në mendjen e saj. “Si do të duket e ardhmja jonë?”, pyeti ajo.