Brenda laboratorit sekret rus ku po krijohet vaksina për COVID-19

Rusia mundësoi zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit për t’iu dhënë njerëzve shpresë dhe jo për shkak të presionit politik tha virologu i lartë i vendit në një intervistë për CNN. U deshën muaj që CNN të siguronte qasjen në një laborator sekret në Moskë ku shkencëtarët ndihmuan në krijimin e vaksinës së koronavirusit. Çdo punë tjetër në Institutin Gamaleya u pezullua dhe shkencëtarët kishin për detyrë të krijonin një vaksinë efektive anti-Covid tha drejtori i institutit Alexander Gintsburg.

Rezultatet premtuese bënë që vaksina të aprovohej edhe para testimit të përhapur njerëzor këmbënguli Gintsburg. “Njerëzve iu dha një zgjidhje ose të mbrojnë veten ose të luajnë ruletë me një patogjen do të infektoheni apo jo do të vdisni apo jo?” tha ai. Kritikët në të gjithë globin thonë se shpejtësia marramendëse e zhvillimit të vaksinës ruse tregon presionin politik nga Kremlini i cili dëshiron të portretizojë Rusinë si një forcë shkencore globale. Ishte vetë presidenti Vladimir Putin ai që njoftoi miratimin e vaksinës me shumë bujë në televizionin shtetëror rus. Por Gintsburg thase Kremlini nuk i dha udhëzime institutit.

“Ne nuk kemi komunikim të drejtpërdrejtë me Kremlinin, ai nuk na jep asnjë urdhër,” tha Gintsburg.
“E vetmja lidhje me Kremlinin është portreti i Vladimir Vladimirovich Putin në kabinetin tim,” qeshi Gintsburg, duke iu referuar një fotoje të një Vladimir Putini që qëndron në zyrën e tij, si një dhuratë për ditëlindje që ai mori 14 vjet më parë nga miqtë e tij.

“Detyra jonë është të izolojmë këtë patogjen dhe ta mposhtim atë. Kjo është pikërisht ajo që po bëjmë tani. Dhe, siç e dimë shumë mirë të gjithë ai mund të mposhtet vetëm me ndihmën e vaksinimit.”
Instituti Gamaleya me qendër në Moskë është një nga laboratorët më të vjetër dhe më të arrirë të vaksinave të Rusisë. Por në nxitimin për të krijuar Sputnik V ajo ka anashkaluar praktikat normale shkencore. Duke anashkaluar testet njerëzore në shkallë të gjerë përpara miratimit ushtarët rusë u përdorën si “vullnetarë” në provat e para. Madje dhe drejtori i Institutit injektoi veten dhe stafin e tij me vaksinën eksperimentale, mësoi CNN, në muajin prill.

“Ne kemi vaksinuar veten dhe stafin tonë. Kryesisht, stafi që merr pjesë në zhvillimin e këtij produkti vaksine. Unë nuk kam shumë staf, prandaj vlerësoj shumë çdo punonjës”, tha Gintsburg.
“Një sëmundje e çdo anëtari të stafit do të ishte një goditje e rëndë jo vetëm për mua personalisht, por edhe për rrjedhën tonë të punës. Unë nuk mund të lejoja që kjo të ndodhte, të humbja ndonjë nga punonjësit tanë si rezultat i infektimit nga Covid-19.”

Rusia ka pasur numrin e katërt më të madh të rasteve të koronavirusit në të gjithë botën, pas SHBA-së, Indisë dhe Brazilit, sipas Universitetit Johns Hopkins. Rezultatet nga testet e para njerëzore të Sputnik V u botuan në Lancet muajin e kaluar. Vetëm 76 njerëz u përfshinë në testim dhe ekspertët thonë se ky numër është shumë i vogël për të përcaktuar nëse vaksina ruse ishte e sigurt dhe efektive. Por, Lancet raportoi se të dhënat klinike ishin kryesisht pozitive me vetëm efekte të lehta anësore të raportuara. Po ashtu, vaksina shkaktoi një përgjigje imune te pjesëmarrësit në provë.

Aprovimi i shpejtë i vaksinës nga Rusia para se të kishin nisur provat njerëzore të fazës 3 dhe në një kohë kur e gjithë bota po kërkon një vaksinë, krijoi kritika jashtë Rusisë. Por Gintsburg, i cili e përshkruan pandeminë si një “luftë” dhe një “emergjencë”, tha se ai nuk ka shqetësime.