Brenda Klinikës së Pulmologjisë: 72 pacientë me oksigjenoterapi, COVID-19 po prek edhe moshat e reja

Në Klinikën e Pulmologjisë janë duke u trajtuar 90 pacientë, 54 prej tyre të infektuar me COVID-19.

Pulmologu Shpëtim Thaçi ka thënë se shumica e pacientëve të cilët janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi janë në gjendje të rënduar shëndetësore por klinikisht janë jashtë rrezikut për jetë.

”Këtu kemi 101 shtretër ndërsa tani ka 90 pacientë janë të shtrirë në Klinikën e Pulmologjisë, 72 prej tyre janë me oksigjenoterapi, 54 janë COVID POZITIVË, ndërsa 12 pacientë janë të konfirmuar si negativë”.

”Shumica e pacientëve që janë me oksigjenoterapi janë në gjendje të rënduar shëndetësore por klinikisht dhe momentalisht janë stabil dhe janë jashtë rrezikut për jetë”.

Thaçi po ashtu në rrëfimin e tij ka përmendur që COVID-19 ka pesuar mutacion dhe tani në klinika nxitojnë për trajtim fluks i madh i pacientëve të moshave më të reja.

”Kemi tani pacientë të të gjitha moshave duke përfshirë këtu një fluks më i madh i pacientëve të moshës më të re nga 30 deri 39 vjeçare, sepse sipas raportimeve virusi ka pësuar shkallën e mutacionit”.