Bregoviq thoshte që Nënë Tereza është rome

Ardhja e këngëtarit serb Goran Bregoviq me rastin e festës së birrës në Korçë po vazhdon të kundërshtohet. Madje sot në Korçë është thirrur edhe pro*testë për t’ia anuluar pjesëmarrjen Bregoviqit në festival. Por, nga Bashkia e Korçës kanë thënë se nuk do ta anulojnë ftesën ndaj këngëtarit serb, edhe përkundër reagimeve.

Këngëtari serb Bregoviq ishte kthyer në frymëzuesin e miteve serbe, frymëzuesin e mas*akrave në Kosovë, sidomos me këngën “Kallashnikov”. Si dhe në biografinë e tij e mohon edhe prejardhjen shqiptare të Nënë Terezës.
Në biografinë e tij, teksa flet për muzikën thotë se të gjithë janë të impresionuar nga romët, të cilët lanë gjurmë në gjithë botën, duke përmendur këtu edhe Nënë Terezën.

“Të gjithë janë të impresionuar nga romët – qofshin ata romë të panjohur në cepin tuaj të rrugës, apo quhen Charlie Chaplin, Nënë Tereza, Elvis Presley ose Django Reinhardt, të cilët lanë gjurmë në kulturën popullore në të gjithë botën ”, thuhet ndër të tjera në biografinë e këngëtarit serb.

Shumë artistë shqiptarë po bëjnë thirrje për ta anuluar ardhjen e Bregoviqit në Korçë, teksa Capital T e Dafina Zeqiri tashmë kanë anuluar prezencen e tyre në këtë festë.
Sidoqoftë, nuk është hera e parë që këngëtari do të shfaqet para publikut në Shqipëri. Ai mbajti koncert të madh në Tiranë në vitin 2014, ku edhe u vlerësua me çmimin “Çelësi i Tiranës” në atë kohë nga Edi Rama i cili ishte kryetar i bashkisë.