Borrell: Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bëjnë detyrat e shtëpisë

“Duhet të hedh poshtë idenë se ne [Bashkimi Evropian] pretendojmë se e duam Ballkanin Perëndimor brenda kornizës sonë” tha të martën përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell. Duke folur në një konferencë online të organizuar nga Këshilli Atlantik, Borrell tha se perspektiva evropiane mbetet motor i reformave në shtetet e rajonit dhe se “nuk është e drejtë të thuhet se BE-ja vetëm flet dhe nuk vepron” kur bëhet fjalë për zgjerimin me Ballkanin Perëndimor.

“Ne jemi duke investuar shumë para për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për realizimin e reformave dhe për përmirësimin e ekonomive të tyre dhe të sistemit politik dhe gjyqësor, në mënyrë që të afrohen me sistemin e BE-së”, tha Borrell. Sipas tij integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një proces që zhvillohet hap pas hapi.

“Do t’i nisim negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kemi rinisur negociatat midis Serbisë dhe Kosovës me të dërguarin e posaçëm [Mirosllav Lajçak] dhe mendoj se e kemi vënë në rrugë atë dialog”, tha Borrell, raporton Radio Evropa e Lirë.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë duke bërë negociata tash e dhjetë vjet për normalizimin e marrëdhënieve. Negociatat do të duhej të përfundonin me arritjen e një marrëveshjeje detyruese gjithëpërfshirëse. Lajçak ka thënë më herët se raundi i ri i bisedimeve do të organizohet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë. Si prioritete në reformat në Ballkanin Perëndimor, Borrell përmendi gjyqësorin e pavarur dhe lu*ftën kundër korrupsionit. “Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bëjnë detyrat e shtëpisë, të kryejnë reforma dhe t’i përmbushin standardet, në mënyrë që të pranohen si anëtare”, tha ai.

Mbështetja e BE-së, dukshëm më e madhe se e Kinës, Rusisë dhe Turqisë. Sipas tij, mbështetja e BE-së për Ballkanin Perëndimor është dukshëm më e madhe se mbështetja që mërr rajoni nga Kina, Rusia dhe Turqia. “Plani ynë i investimeve ekonomike [për Ballkanin Perëndimor] arrin në 9 miliardë euro për adresimin e aspekteve shëndetësore dhe ekonomike”, tha Borrell, duke shtuar se BE-ja po përpiqet të ndihmojë me vaksina kundër koronavirusit, porse edhe vetë po përballet me sfida.

“E pranojmë që po përballemi me vështirësi, sepse kemi mungesë të vaksinave [në BE] ndërsa në disa vende të rajonit, të tilla si Serbia, po zhvillohet një betejë e madhe diplomatike”, deklaroi Borrell. Ai po ashtu theksoi se Ballkani Perëndimor ndodhet në mesin e prioriteteve të bashkëpunimit midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara. “Kemi mjaft shenja pozitive. Administrata e re [e presidentit amerikan, Joe] Biden punon me aleatët, e njeh rëndësinë e BE-së dhe e konsideron atë mike, e jo vetëm partnere”, tha kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.