Përfaqësuesi i lartë i bllokut evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka tërhequr vërejtjen për mundësinë e shpërbërjes së Bosnje e Hercegovinës.
Ai kërkoi nga ministrat e shteteve anëtare të BE-së që të marrin vendime, për të ndalur krizën e thellë politike në këtë shtet të Ballkanit Perëndimor.
Këto komente, Borrell i bëri para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, të cilët do të diskutojnë për krizën në Ukrainë dhe për situatën e sigurisë në Bosnje.
“Mos e mohoni rëndësinë e asaj që po ndodh në Bosnje e Hercegovinë. Kjo do të marrë një pjesë të rëndësishme të kohës në takimin tonë sepse retorika nacionaliste dhe separatiste po rritet në Bosnje e Hercegovinë dhe rrezikon stabilitetin e madje edhe integritetin vendit”, tha Borrell. “Ministrat e BE-së do të duhet të marrin vendim se si të ndalin këtë dinamikë në Bosnje e Hercegovinë dhe të evitojnë që shteti të shpërbëhet në disa copa. Kjo është një situatë kritike dhe ministrat duhet të miratojnë disa vendime për këtë gjë”.
Në një dokument të përgatitur nga shërbimet e BE-së për takimin e sotëm, është thënë se “kriza politike në Bosnjë-Hercegovinë është më e thella që nga përfundimi i luftës më 1995”.
BE-ja pritet sot të diskutojë edhe për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë, të cilët shihen si përgjegjës për rrezikimin e unitetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Shtetet e Bashkuara veçse kanë vendosur sanksione ndaj liderit të serbëve të Bosnjes, Millorad Dodik, për përfshirje në korrupsion. Uashingtoni ka thënë se me veprimet e tij për të transferuar disa kompetenca shtetërore në nivelin e entitetit të Republikës Srpska, Dodik ka minuar stabilitetin e rajonit.
Në dokumentin e përgatitur, po ashtu kërkohet që të ndalen proceset secesioniste në entitetin e serbëve të Bosnjës si dhe të arrihet pajtim për reformën zgjedhore, në mënyrë që zgjedhjet e planifikuara për në vjeshtë, të zhvillohen sipas standardeve evropiane.
Borrell më 20 shkurt kishte ndezur alarmin, pasi nacionalistët kroatë të Bosnjës paralajmëruan se do të prishnin zgjedhjet e ardhshme, dhe do të formonin rajonin e tyre.
Në takimin që mbahet në Bruksel, ministrat e BE-së do të diskutojnë edhe për krizën në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera perëndimore kanë thënë se Rusia ka vendosur që ta pushtojë Ukrainën, teksa ka grumbulluar mbi 150,000 trupa përgjatë kufijve ukrainas. Por, Moska vazhdimisht mohon se ka plane për pushtim. /Rel