Shefi i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në Samitin Bërdo ka takuar kryeministrin Albin Kurti. Përmes një shkrimi në Twitter, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë më shumë drejt marrëveshjes përfundimtare.
“Diskutuam marrëveshjen e javës së kaluar në mes të Beogradit dhe Prishtinës me Albin Kurtin – si hap i rëndësishëm që duhet implementuar”, ka shkruar ai.
“Thërras të dyja palët që ta intensifikojnë punën për marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative për normalizim të marrëdhënieve me ndërmjetësimin e dialogut nga BE”.
Kryeministri Kurti pas takimit me presidentin serb Vuçiq ka thënë se është diskutuar për Procesin e Berlinit; lëvizja e lirë dhe njohja e diplomave.
Kurti ka shkruar se Kosova mbështet të gjitha marrëveshjet të cilat të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Në takimin me kancelaren Angela Merkel, presidentin Emmanuel Macron dhe presidentin e Serbisë ne folëm për Procesin e Berlinit, lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave. Ne mbështesim marrëveshjet në të cilat të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor trajtohen si të barabarta dhe qytetarët janë përfituesit e fundit”, ka shkruar ai në Twitter.